Në një takim me qytetarë dhe mbështetës të VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski, kandidat për kryetar të Shkupit, prezantoi vizionin e tij për kryeqytetin, duke theksuar rëndësinë e qasjes njerëzore dhe përkushtimit real ndaj qytetit dhe qytetarëve.
Gjorgjievski u shpreh se Shkupi ka nevojë për më shumë se një kryetar komune – ka nevojë për një njeri që kupton sfidat e qytetarëve dhe punon për ta bërë qytetin më të bukur, më të pastër dhe më të sigurt.
“Ky qytet nuk ka nevojë vetëm për politika dhe premtime boshe. Ai meriton punë të vërtetë dhe përkushtim. Së pari njeri, pastaj kryetar komune!” – tha Gjorgjievski.
Ai theksoi se si qytetar, përballet me të njëjtat probleme si secili prej qytetarëve: trafik, deponi të paligjshme dhe nevojën për hapësira të gjelbra. Gjorgjievski u angazhua se, nëse zgjidhet kryetar, do të punojë për një qytet ku secili ndjehet si në shtëpinë e vet, duke bashkëpunuar me qytetarët për projekte konkrete dhe të dukshme.
Gjorgjievski rikujtoi sukseset e tij në Komunën e Kisella Vodës, ku ka realizuar projekte për parqe, fusha lojërash dhe rrugë të rindërtuara, duke dëshmuar se puna e ndershme dhe e përkushtuar sjell rezultate reale.
“Shkupi përballet me sfida të mëdha, por këto probleme nuk janë më të forta se ne. Ne së bashku do të fitojmë!” – përfundoi ai.