Një vilë në Torre a Mare dhe mbi 100,000 euro cash. Kjo është pasuria e tundshme dhe e patundshme që i sekuestroi Drejtoria Hetimore Antimafia, Massimiliano Fiore-s, një 47-vjeçari të lidhur me kartelet shqipfolëse të trafikut të dogës mes aksit Itali-Shqipëri, dhe i dënuar nga drejtësia në kuadër të operacionit të koduar “Ura”.
Fiore është aktualisht në burg pas arrestimit të tij në një operacion më 21 maj, në lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas hetimit, pasuritë e 47-vjeçarit lidheshin me tregtinë e drogës, veçanërisht kokainës dhe heroinës, me origjinë nga Shqipëria dhe që drejtoheshin për në Puglia.
Bazuar në gjetjet e hetuesve, burri ishte lidhja midis klanit Palermiti nga lagjja Japigia dhe grupeve shqiptare që shisnin lëndët narkotike të importuara në Itali.
Fiore, sipas prokurorisë, siguroi gjithashtu “mbrojtjen” e palermitanëve për ta, duke i lejuar ata të shisnin drogë në komunat e provincës nën ndikimin e klanit.
Operacioni i koduar “Ura”, çoi në ekzekutimin e masave paraprake në Itali, Belgjikë dhe Shqipëri kundër 52 personave, të akuzuar jo vetëm për trafik ndërkombëtar droge, por edhe për pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Sekuestrimi, i kërkuar nga Drejtoria e Antimafias së Qarkut, është pjesë e një përpjekjeje të gjerë hetimore të kryer nga Drejtoria e Antimafias së Barit dhe autoritetet e Tiranës, që synon luftimin e trafikut të drogës nga organizatat kriminale shqiptare, informon media italiane.
Majin e kaluar, si pjesë e të njëjtit operacion, u sekuestruan asete me vlerë disa milionë euro, të shpërndara midis Italisë dhe Shqipërisë.