Sot Gjiri i Durrësit u kthye në një skenë reale të manovrave ushtarake, ku forcat shqiptare, rajonale dhe ato amerikane po zhvillojnë një nga stërvitjet më të rëndësishme ndërkombëtare, “Defender Europe 2025”.
Me një skenar kompleks, Durrësi u “pushtua” nga anije luftarake, helikopterë Cougar dhe një dron monitorues, që morën pjesë në simulimin e një operacioni të sofistikuar ndërhyrjeje detare.
Në thelb të demonstrimit ishte një incident i simuluar, ku forcat detare shqiptare dhe amerikane ndërhynë ndaj një anijeje të dyshuar që po largohej nga ujërat territoriale pa leje.
Në bordin e anijes shqiptare “Oriku”, përfaqësues të mediave ndoqën nga afër koordinimin e veprimeve të 5 anijeve pjesëmarrëse, 3 shqiptare dhe 2 amerikane, në një skenar që zhvillohej rreth 6 milje larg bregut.
Çdo lëvizje shërbente për të testuar kapacitetin reagues dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
Komandanti i Forcës Detare bëri të ditur se stërvitje të tilla zhvillohen çdo dy vjet dhe “Defender Europe” drejtohet nga Komanda Detare të SHBA për Evropën dhe Afrikën. Qëllimi i stërvitjes është të forcohet aftësia e forcave të NATO-s për të vepruar në kushte reale, duke përdorur kanalet ajrore, tokësore dhe detare për të mbrojtur linjat strategjike të komunikimit dhe infrastrukturën kritike.
Në këtë aspekt, roli i Shqipërisë është kyç. Përveç mbrojtjes së linjave detare dhe objektivave të rëndësishëm si gazsjellësi TAP apo sistemet nënujore të komunikimit, në fokus është edhe siguria e infrastrukturës portuale.
Forcat speciale amerikane janë gjithashtu të pranishme në këtë mision të përbashkët.
Stërvitja, e cila bazohet në nenin 5 të Traktatit të NATO-s, dëshmon një angazhim të përbashkët për mbrojtjen kolektive në rast të ndonjë sulmi ndaj një vendi anëtar.
Në këtë kontekst, “Defender Europe 2025” është një stërvitje që synon të demonstrojë gatishmërinë dhe forcën e aleancës në mbrojtje të paqes dhe sigurisë në rajon.
Përveç Shqipërisë, edhe Kosova është pjesë e stërvitjes që zgjat deri më 9 qershor.