OKB-ja ka shprehur shqetësim për ndalimin nga Izraeli të flotiljes humanitare globale Sumud në ujëra ndërkombëtare, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe të lejojnë qasje më të gjerë humanitare, transmeton Anadolu.
“Mënyra se si u krye ky operacion është jashtëzakonisht shqetësuese. Të gjithë duhet të ndjekin detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare”, u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
“Nuk duam që askush të dëmtohet, por le të jemi të sinqertë, zgjidhja për të gjithë këtë është më shumë qasje humanitare”, shtoi ai.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha se forcat detare ndaluan dhe sekuestruan më shumë se 20 anije të Flotiljes Globale Sumud në ujëra ndërkombëtare në Detin Mesdhe dhe ndaluan rreth 175 aktivistë në bord. Sulmi ndodhi pranë ishullit grek të Kretës, qindra milje detare (më shumë se 1.000 kilometra) larg Izraelit.
Flotilja, që transportonte ndihma humanitare, u nis dy javë më parë nga ishulli italian i Sicilisë, me gjithsej 58 anije që synonin të thyenin bllokadën shumëvjeçare të Izraelit ndaj Gazës.
Izraeli ka vendosur një bllokadë mbi Rripin e Gazës që nga viti 2007, duke e lënë popullsinë prej 2.4 milionë banorësh në prag të urisë.
Ushtria izraelite nisi një ofensivë dyvjeçare në Gaza në tetor të vitit 2023, duke vrarë më shumë se 72 mijë persona, duke plagosur mbi 172 mijë dhe duke shkaktuar një shkatërrim të gjerë në territor.


