Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara ka nxjerrë në ankand pajisje dhe makineri të kompanisë “Kalivaçi Green Energy”, e cila iu konfiskua sipërmarrësit italian Francesko Beketi rreth një dekadë pas mbylljes së televizionit Agon Channel.
Vendimi bëhet i ditur në buletinin e publikuar nga Agjencia më 1 shtator 2025, sipas të cilit vlera e ankandit të pajisjeve është rreth 15.3 milionë lekë të reja, ose rreth 150 mijë euro, megjithëse vlera e tyre reale është shumë më e madhe, por ato janë amortizuar përgjatë viteve.
Ankandi sipas agjencisë, do të zhvillohet më datë 9 shtator të këtij viti dhe në njoftim përcaktohen edhe kriteret përkatëse për pjesëmarrësit. Shoqëria “Kalivaçi Green Energy”, ku do të ndërtohej hidrocentrali i Kalivaçit, ndodhet në Tepelenë dhe prej më shumë se 10 vite pajisjet nuk janë në gjendje pune.
Qeveria shqiptare prishi në vitin 2017 kontratën e nënshkruar më shumë se 20 vite më herët me kompaninë “Hidro srl” për ndërtimin me konçesion të hidrocentralit të Kalivaçit.
Kompania kishte në zotërim 100 për qind të aksioneve të firmës “Kalivaçi Green Energy” në pronësi të italianit Françesko Beketi, i akuzuar nga Prokuroria Shqiptare për veprat penale të pastrimit të parave, falsifikimit të dokumenteve dhe shmangien e taksave.
Biznesmeni Beketi paditi më pas Shqipërinë në Gjykatën e Arbitrazhit, duke përfituar rreth 110 milionë euro, ku një pjesë e kësaj shume është lëvruar përmes Agjencisë Kombëtare të Trafikut Ajror e njohur shkurt si Albcontroll.