Një ditë pas ngjarjes tragjike ku humbi jetën elektricisti 33-vjeçar Xhuljo Shtëmbari, policia e Fierit ka arrestuar dy persona, të dyshuar për shkelje të rregullave teknike të sigurisë në punë.
Me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, janë vënë në pranga Xhezmi Haliti, me detyrë punonjës i nënstacionit elektrik në Gradishtë, dhe Arben Presheva, gjithashtu elektricist.
Sipas organit të akuzës, të arrestuarit dyshohet se nuk zbatuan protokollin e mbrojtjes dhe masat teknike gjatë procesit të punës, duke sjellë si pasojë humbjen e jetës së Shtëmbarit, i cili ra në kontakt me rrymën elektrike gjatë një ndërhyrjeje në linjën e tensionit të mesëm.
Njoftimi i policisë
Divjakë/Informacion paraprak
Pasditen e sotme, në fshatin Mërtish, shtetasi Xh. Sh., 32 vjeç, me detyrë elektricist, gjatë riparimit të linjës së tensionit të mesëm, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.