Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim gjashtë punonjës policie, të akuzuar për korrupsion pasiv, shpërdorim detyre dhe falsifikim kompjuterik.
Bëhet fjalë për shtetasit Endri Hazizi, Aurel Tahiri dhe Xhevahir Stërmugu, të cilët kanë qenë në arrest shtëpie, si të dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim kompjuterik”.
Ndërsa Eraldi Koprencka dhe Nertil Xhemalaj janë aktualisht të pezulluar nga detyra, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim.
Sipas Prokurorisë, efektivët e Policisë Rrugore të Elbasanit kanë bashkëpunuar për të toleruar drejtues mjetesh që kryenin kundërvajtje administrative, duke mos vendosur masat ndëshkuese përkatëse dhe duke dëmtuar kështu interesat financiare të shtetit dhe besimin e publikut tek institucionet ligjzbatuese.
Njoftimi i prokurorise
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq gjashtë punonjës policie, shtetasit Xh.S., E.H., A.T., N.Xh., E.K., dhe B.T. nën akuzë për veprat penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 259/1, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Në përfundim të një hetimit të plotë, të gjithanshëm duke përdorur dhe metodat proaktive të hetimit në bashkëpunim dhe me AMP, Dega Elbasan-Korçë, mbi procedimin penal nr.377 të vitit 2024, u arrit të identifikohen disa raste të korrupsionit të punonjësve të policisë ndaj drejtuesve të mjeteve me qëllim mosndëshkimin e tyre administrativisht.
Shtetasit XH.S, E.H, A.T, N.XH punonjës të policisë pranë Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë akuzuar respektivitsht për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, më shumë se njëherë të parashikuar nga neni 259/1, 248, të Kodit Penal. Ndërsa shtetasit E.K, B.T, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal.
Gjatë veprimtarisë së tyre këta punonjës policie, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, edhe pse konstatonin rastet e kundërvajtjes administrative të drejtuesve të mjeteve nuk procedonin me dashje me vendosjen e masës administrative duke dëmtuar interesat financiarë të shtetit dhe interesin publik.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, i bën thirje shtetasve që të denoncojnë çdo lloj akti korruptiv apo abuzim me detyrën të çdo funksionari publik me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale.