Flamur Sula, i ati i Ilaria Sulës ka rrëfyer për emisionin “Me zemër të hapur” në News24 bisedën e fundit me të bijën para se ajo të vritej brutalisht nga ish i dashuri i saj me origjinë nga Filipinet, Marc Samson.
Ai theksoi se kishin biseduar me të bijën për herë të fundit më 25 mars, por sipas tij, ajo nuk iu kishte dhënë asnjë sinjal se diçka nuk shkonte. Flamur Sula tregoi se e bija iu kishte thënë se do të shkonte në fundjavë në shtëpi, por kur nuk i kishte hapur telefonin, kishin shkuar ta prisnin te stacioni i trenit.
Ai thotë se u alarmuan kur e bija nuk po e hapte vazhdimisht telefonin për shkak se ajo s’e kishte bërë kurrë një gjë të tillë, duke theksuar se ishte shumë e rregullt. Flamuri tha se dyshimet nisën nga bisedat me shoqet e saj ku jetonte në Romë, të cilat i kishin thënë se e bija kishte ikur me një djalë në Napoli. Të rejat që jetonin me të, tha ai, i kishin theksuar atë që supozohej që iu kishte shruar Ilaria me mesazhe, por në të vërtetë kishte qenë Samson.
“Më 25 mars ka qenë dita që kemi folur për herë të fundit. Ka folur me mua dhe nusen time. Tha të zakonshmet, e pyetëm se çfarë do të bësh sot, sit ë shkoi shkolla e studimet. Biseduam diku te një çerek ore por nuk na dha asnjë lloj sinjali që linte të kuptonim diçka. Nuk kuptuam asgjë.
Ne folëm me 25 mars me Ilarian. Dhe tha mami do të vij të shtunën, që ishte data 29, në shtëpi. Kam një takim për të rregulluar thonjtë dhe flokët. E prisnim që të vinte të shtunën në mëngjes në shtëpi. Që nga e marta deri ë shtunën sikur na lidhi zoti që të mos e merrnim në telefon.
Mesazhi nuk i shkonte. Telefoni dilte mbyllur. U alarmuam si prind se nuk ishte diçka që e bënte këtë veprim. Ishte shumë korrekte dhe e saktë. Nuk kishte ndodhur që të mos njoftonte se nuk do të vinte në shtëpi. Shkuam te stacioni i trenit, erdhi iku… Nuk ishte ajo Ilaria që bënte këto veprime. Asnjëherë nuk dilte nga fjala. U alarmuam dhe bashkë me nusen u nisëm për në Romë.”, tha i ati.


