Ish-prokurori i krimeve të Rënda, Eugen Beci, mendon se Drejtësia nuk ka ndërhyrë aspak në kompetencat e Ekzekutivit dhe Kryeministri Edi Rama nuk duhet ta kishte vënë në lëvizje Kushtetuesen për një çështje individuale që lidhet me Belinda Ballukun dhe jo për të si institucion.
Ai nënvizoi edhe interesin e çështjes dhe vendimit, se si do të votojnë gjyqtarët, vendimi që do merret dhe më kryesorja, interpretimi ligjor që do i bëjnë.
“Që nesër e tutje vendimi mund të jepet, sepse nuk ka afat në organin e Kushtetueses. Por e rëndësishme është që Kushtetuesja të shpjegohet për vendimin që do marrë në lidhje me zyrtarin e lartë që pezullohet dhe me atë që lidhet me procedurën. Duhet parë se si do e justifikojë faktin se kryeministri është legjitimuar për të përfaqësuar një rast konkret, ndërkohë që kemi vetëm një vendim, por nuk kemi një konflikt real mes pushteteve apo një vendim real. Pushteti gjyqësor ka zbatuar vetëm Kodin e Procedurës penale”, tha ai në studion e “Kjo Javë”, në “News 24”, mbrëmjen e sotme.
Beci tha se Kushtetuesja duhet të shprehet nëse Kryeministria ka të drejtë të bëjë një kërkesë të tillë që lidhet me individin Belinda Balluku, pasi SPAK dhe GJKKO nuk kanë krijuar konflikt institucional, nuk kanë bllokuar punën e ministrisë.
“Duhet parë se si kryeministri ndërhyn për të vënë në lëvizje Kushtetuesen në lidhje me një vendim të GJKKO. Besoj se nuk ka një ndërhyrje të Gjyqësorit tek ekzekutivi. Pra individi që cenohet nga vendimi duhet të kishte ndjekur shkallët e drejtësisë, Apel, Gjykata e Lartë dhe më pas në Kushtetuese dhe jo direkt të përfaqësohej nga kryeministri në Kushtetuese si institucion, ndërkohë që GJKKO ka vendosur një masë individuale”, shpjegoi ish-prokurori.
Beci theksoi se përgjigja kryesore që duhet të japë Kushtetuesja dhe ajo që ka më shumë interes, është për pyetjen nëse kryeministri ka të drejtë ta vërë në lëvizje Kushtetuesen për këtë rast.
“Duhet parë se si do e interpretojë Kushtetuesja ndërhyrjen e Kryeministrit, nëse kishte të drejtë ta vinte në lëvizje për një vendim personal. Duhet të shohim se çfarë do vendosë Kushtetuesja, por mendoj se kjo është pyetja kryesore, a ka të drejtë Kryeministri ta vërë në lëvizje Kushtetuesen për një vendim që lidhet me individin. Do shohim nëse Kushtetuesja do kthehet në nivelin e Apelit apo të Gjykatës së Lartë apo do ngrihet në nivelin e saj. Nuk kemi asnjë akt apo vendim që ka krijuar konflikt mes institucioneve. Ky është një paradoks, sepse nuk kemi as ankim të personit vetë, ky është një ngërç. Pyetja është a kishte kompetencë kryeministri. Edhe juristët janë të ndarë”, tha ai.


