Ilirjan Selmani është identifikuar si personi i shoqëruar nga policia në lidhje me vdekjen e dyshimtë të 52-vjeçares Kozeta Toçe, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj të përfshirë nga flakët në lagjen nr. 1 të Pogradecit.
I pyetur nga gazetarët në momentin e shoqërimit, Selmani ka mohuar me forcë përfshirjen në ngjarje:
“Nuk jam vrasësi unë ore jo!”
Sipas burimeve hetimore, i riu dyshohet se kishte një lidhje intime me viktimën, e cila jetonte e vetme në katin e parë të një pallati. Fillimisht u raportua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia për shkak të zjarrit, por hetimet kanë zbuluar shenja dhune në trupin e saj, duke ndryshuar pistën hetimore nga aksident në vrasje të qëllimshme.
Sipas policisë, zjarri është vendosur në dy ambiente të banesës për të fshirë gjurmët e krimit, pasi viktima dyshohet se është dhunuar më parë dhe më pas është djegur për të eliminuar provat.
Grupi hetimor dhe shërbimi zjarrfikës kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave. Ndërkohë, Selmani mbetet nën hetim si person i dyshuar kryesor, ndërsa pritet ekspertiza e plotë mjeko-ligjore dhe provat laboratorike.