Zhvarrimi i trupit të djalit të shqiptarit Pano Ruçi, i cili qëndroi për 23 ditë pa ndërprerje në grevë urie në Greqi, u shty pas një kërkese të re nga avokati i familjes.
Autoritetet pranuan që trupi i Denis Ruçit të zhvarrosej dhe t’i nënshtrohej analizav toksikologjike dhe të ADN-së, gjë që çoi në përfundimin e grevës së shqiptarit. Denis Ruçi mbeti i vdekur në aksidentin hekurudhor me shumë viktima të Tempit, teksa familjarët luftojnë për drejtësi.
Procesi është shtyrë me qëllim që familja të caktojë një këshilltar teknik, i cili do të jetë i pranishëm në procedurë, në përputhje me dispozitat e urdhrit të prokurorit për stacionin e policisë së Larisës. Ata nuk i besojnë autoriteteve dhe ekspertëve grekë, ndaj i duan nga jashtë Greqisë, informon “Protothema”.
Fillimisht zhvarrimi ishte planifikuar të zhvillohej nesër (9 tetor), ndërsa përveç këshilltarit teknik të familjes, sipas urdhrit të prokurorit, duhet të jenë të pranishëm një mjek ligjor i shtetit dhe një përfaqësues i Drejtorisë së Hetimeve Kriminale të Policisë.
Pano Ruçi foli në emisionin “Live News” të “Mega”-s rreth zhvillimeve me zhvarrimin e të birit, duke thënë se konsulentët teknikë do të vijnë nga jashtë vendit.
“Ne kemi emëruar konsulentët tanë, do të biem dakord se kur do të vijnë nga jashtë dhe do të caktohet një datë e re”, tha ai.
Më pas shpjegoi pse zgjodhi konsulentët teknikë nga jashtë vendit:
“Ne nuk i besojmë asgjëje në Greqi, nga ajo që kemi parë dhe përjetuar. Ne donim që ata të ishin nga jashtë që në fillim të procesit. Ne duam që ata të jenë ekspertët tanë dhe që procesi të kryhet siç duhet dhe siç e përcakton ligji”.
Ruçi njoftoi se mostrat do të dërgohen edhe jashtë vendit për analiza, ndërsa data e zhvarrimit do të përcaktohet në dy ditët e ardhshme.