Vëllai i 56-vjeçarit Anesti Rama, i cili u vra me tel nga vajza e tij 26-vjeçare në fshatin Frashër të Fierit, ka rrëfyer për mediat tensionet e vjetra brenda familjes.
Ferdinand Rama, që jeton në Greqi, u shpreh se kishte më shumë se dy vite e gjysmë pa folur me të vëllanë, për shkak të gruas së këtij të fundit, e cila – sipas tij – nuk e donte më burrin.
Ai deklaron se për vëllanë informohej vetëm përmes vëllait tjetër, pasi gruaja e viktimës nuk e lejonte Anestin të komunikonte me të.
Sipas tij, çifti kishte dy vajza dhe situata në familje kishte kohë që ishte e tensionuar. Ferdinand Rama mësoi për vrasjen nga kunata e tij, e cila telefonoi gruan e tij për t’i dhënë lajmin.
Ferdinand Rama, vëllai i viktimës: E kemi ditur edhe më përpara, nuk shkonin mirë. Ajo thoshte nuk e dua burrin. Merreni, mbajeni ju, merrni pensionin dhe bëni çfarë të doni. ‘Unë nuk e dua’, thoshte ajo. Po punonte vëllai. Çifti kanë dy çupa.
Unë e mora vesh ngjarjen nga kunata. Lajmëroi gruan time, e mori në telefon dhe tha që ka vdekur Anesti. Kam rreth dy vite e gjysme që nuk flisja me vëllanë, se nuk e linte ajo të llafoseshim. Për të pyetur pyesja vëllanë tjetër, i thosha si është Anesti. Mirë është thoshte, por është pak i dobët, ka pak kollë.