Drejtori i informacionit në “News24”, Robert Rakipllari, kujtoi mes dhimbjes punën për plot një dekadë me Presidentin e “Fax News”, Kasem Hysenbelliu, i cili u nda nga jeta ditën e sotme, pas betejës me koronavirusin.
Në studion e “News24”, Rakipllari tha se Hysenbelliun do ta kujtojë gjithmonë si njeriun më pozitiv dhe që ishte gjithmonë në krah të gazetarëve.
Teksa e cilësoi të dhimbshëm dhe tronditës lajmin për ndarjen e tij nga jeta, ai theksoi se nuk e kishte menduar kurrë që do t’i bënte elegji një miku aq të afërt.
“Është shumë e dhimbshme të flasësh për një mik shumë të afërt, siç ishte z. Hysenbelliu. Është tronditëse, nuk e kishim menduar kurrë që do t’i bënim elegji një miku shumë të afërt, në një moshë shumë të re, që ishte në kulmin e angazhimit të tij në televizionin “Fax News”. Unë kam bashkëpunuar mbi 10 vite te gazeta “Panorama” dhe kam kujtimet më të mira. Përveçse ishte një person i jashtëzakonshëm nga pikëpamja humane, ka dhe një kontribut në rritjen e gazetës “Panorama”. Më tej, ishte drejtor i televizionit “News24”, në të cilin ka kontribuar. Ai ka kontribut të paçmuar”, tha Rakipllari.
Mund të veçojmë disa nga momentet e bashkëpunimit tuaj ndër vite…
Është e pabesueshme që të flasësh për humbjen e një njeriu në moshë kaq të re, por ky virus i pabesë e bëri këtë dhe jemi të detyruar ta kujtojmë. Unë e kujtoj vetëm në mënyrë pozitive, ishte mbështetës i fortë i lirisë dhe pavarësisë së medias. Nuk është e rastit që ai drejtonte gazetën kryesore në vend, e më pas televizionin “News24”, e deri te televizioni që themeloi “Fax News”. Ishte shumë i dhënë pas medias, në çdo moment na ka mbështetur që t’i përkrahim njerëzit. Ka ndikuar jashtë mase, edhe kur kishte tensione politike, dhe ishte gjithmonë në krahun e gazetarëve për të dhënë më të mirën. Ishte dhe një mbështetës shumë i madh i gazetarëve të rinj, nuk paragjykonte askënd, por iu jepte të gjithëve mundësinë për të dhënë më të mirën e tyre. Ai nuk sillej si drejtues, por ishte një njeri që ndante me njerëzit mundësinë se si puna të bëhej më mirë. Unë kam pasur gjithmonë përkrahje, kishte gjithmonë frymën e ekipit. Mendoj që kemi humbur një njeri shumë pozitiv nga të gjitha pikëpamjet.



