Pa asnjë dridhje në zë dhe pa shenja pendese, Mark Antony Samson ka dëshmuar para Gjykatës së III të Assizes në Romë për vrasjen e të dashurës së tij, Ilaria Sula, 24 vjeç, ngjarje e ndodhur një vit më parë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në apartamentin e të riut në via Homs, ndërsa trupi i viktimës u gjet më pas i fshehur në një valixhe dhe i hedhur në një zonë të thellë në Capranica Prenestina.
Gjatë dëshmisë në sallën e gjyqit, i pandehuri pranoi se kontrollonte vazhdimisht jetën private të 24-vjeçares. “Ajo nuk e dinte që unë kisha fjalëkalimet e saj, i kisha marrë pa e kuptuar”, u shpreh ai, duke shtuar se lexonte mesazhet që ajo shkëmbente me persona të tjerë.
“Nëse do të kuptosh nëse e do dikë, nuk futesh në një faqe takimesh”, shtoi ai, duke përshkruar një tablo xhelozie dhe kontrolli obsesiv. Kur prokurori i kujtoi se edhe ai vetë frekuentonte një vajzë tjetër, Samson hezitoi dhe më pas zgjodhi të mos përgjigjej.
“Se di as vetë çfarë më ndodhi, ishte sikur më ra një perde para syve. Ndjeja vetëm emocione negative. Nuk e mbaj mend sa herë e kam goditur, por më shumë se dy herë”, deklaroi Samson para trupit gjykues. Sipas hetimeve, e reja është vrarë me tre goditje me thikë në qafë.
Para nisjes së dëshmisë, ai pranoi se nuk kishte treguar gjithmonë të vërtetën, sidomos për të mbrojtur nënën e tij, e cila ka pranuar një dënim me dy vite burg për përfshirje në fshehjen e trupit.
“Jam i vetëdijshëm që nuk kam thënë gjithmonë të vërtetën, sidomos për nënën time. Po përpiqesha ta mbroja”, ka dëshmuar ai.
Nëna e tij ka deklaruar se “pastroi gjakun e shumtë që ndodhej në dysheme”. Ndërkohë, Samson theksoi se marrëdhënia me viktimën, shqiptaren Ilaria Sula, ishte përkeqësuar pasi ajo kishte zbuluar gënjeshtrat e tij lidhur me studimet dhe notat universitare.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe prindërit e 24-vjeçares, të cilët kërkuan drejtësi për vajzën e tyre. “Presim që të bëhet drejtësi për vajzën tonë, ka ende detaje që nuk janë të qarta. Për shembull orari nuk bind, çdo herë ndryshon version. Nuk besojmë se po mbron dikë, por duam qartësi”, u shprehën ata.
Babai i viktimës e përshkroi të bijën si “dielli i familjes”, ndërsa nëna, e prekur emocionalisht, u detyrua të largohej për pak minuta nga salla për shkak të gjendjes së rënduar.
“Vajza ime ishte dielli ynë – tha i ati – çdo mëngjes kur gruaja ime zgjohej, shihte diellin dhe thoshte: kjo është vajza ime. Ilaria kishte shumë ëndrra si çdo vajzë e moshës së saj. Nuk ishim në dijeni të problemeve në marrëdhënien e saj dhe as që ajo donte të ndahej.“E dinim që ishte një histori e rëndësishme, dashuria e parë. Madje nuk donim që ajo të ishte me këtë djalë, kishte shumë dallime kulturore dhe kishim frikë”, ka dëshmuar babai i saj.
“Janë ditë shumë të vështira. Të dëgjosh ato që ndodhën dhe të rikujtosh momentet e fundit të jetës së vajzës sime është e padurueshme. Vetëm ajo më jep forcë të vazhdoj”, tha ajo.
Në përfundim, familjarët theksuan se presin dënimin maksimal për autorin: “Nuk kërkoj hakmarrje, por vetëm drejtësi dhe drejtësia do të thotë burgim i përjetshëm”.


