Për shumicën e njerëzve, prezantimi është një formalitet i shkurtër, një shkëmbim emrash që zgjat vetëm disa sekonda. Por për Laurence Watkins, kjo është një sfidë që kërkon durim, frymë dhe kohë.
Watkins, një 60-vjeçar nga Auckland, Zelandë e Re, mban rekordin botëror për emrin më të gjatë personal, i cili përmban plot 2253 fjalë. Për të shqiptuar të gjithë emrin e tij të plotë, ai ka nevojë për rreth 20 minuta, një fakt që u bë i njohur për herë të parë në martesën e tij të parë në vitin 1991.
Gjatë asaj ceremonie, celebruesi kishte regjistruar paraprakisht emrin e tij të gjatë, duke e bërë të pamundur për të ftuarit të përqendroheshin në momentin e dasmës. Ndërsa të ftuarit endeshin me gotën e shampanjës, regjistrimi vazhdonte pa ndërprerje, derisa erdhi koha që Watkins të thoshte “Po”.
Emri i tij i plotë, që përmban një mori emrash nga kultura të ndryshme, është rezultat i një pasioni të hershëm për histori të jashtëzakonshme. I frymëzuar nga emisionin televiziv “Ripley’s Believe It or Not!”, ai vendosi të krijonte emrin më të gjatë në botë, duke e parë si një mundësi për të hyrë në librin e famshëm të rekordeve.
Pas një muaji të tërë përzgjedhjeje emrash, ai pagoi një daktilograf për të shtypur të gjithë emrat e tij në letër. Frymëzimi erdhi nga emra latinë, anglo-saksonë, dhe madje edhe nga fjalori Māori, për të cilin Watkins shprehet se e admiroi gjithmonë.
Edhe pse nuk ka lidhje kulturore me popullin Māori, ai e ka përfshirë këtë element në emrin e tij si një shenjë respekti. “Disa emra ishin shumë të gjatë, duke paraqitur një sfidë për makinën e shkrimit, në një kohë pa kompjuterë modernë”, thotë ai.
Emri i tij i ri zinte gjashtë faqe të daktilografuara dhe pas një kërkese të suksesshme në Gjykatën e Lartë, ai mori zyrtarisht certifikatën e Guinness për emrin më të gjatë personal në vitin 1992. Ky rekord është rikonfirmuar kohët e fundit, duke e bërë atë një figurë të njohur në historinë e rekordeve botërore.
Ndërsa në jetën e përditshme përdor një version të shkurtuar të emrit, dokumentet zyrtare e paraqesin atë me të gjithë emrat e tij, duke mbushur shtatë faqe të certifikatës së lindjes. Qeveria e Zelandës së Re, pas rastit të tij, ndryshoi ligjet për të ndaluar emrat e gjatë, duke e bërë këtë histori një shembull të veçantë të individualitetit dhe pasionit për të qenë ndryshe.