Kryeqyteti shqiptar do të përjetojë nesër një nga ngjarjet më të mëdha muzikore dhe artistike të vitit, me performancën e disa prej DJ legjendarë të muzikës elektronike, të cilët do të ngjiten për herë të parë në një skenë shqiptare.
Eventi do të zhvillohet pranë liqenit artificial të Tiranës, duke e kthyer këtë hapësirë ikonike në një arenë energjie pozitive, tingujsh modernë dhe atmosfere festive. Organizatorët e kanë cilësuar këtë si një spektakël unik, që synon të promovojë Tiranën si një destinacion të rëndësishëm kulturor dhe muzikor në rajon.
Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cilësoi ngjarjen si “një dhuratë të bukur për kryeqytetin”, duke theksuar rëndësinë e saj në gjallërimin e jetës kulturore dhe argëtuese në Tiranë.
“Jemi shumë të lumtur që në Tiranë, nesër kemi një ndër eventet më të mëdha të vitit. Në Tiranën e këtyre ditëve kemi parë se si kanë qenë qindra turistë nëpër qytet, duke shijuar qytetin, të gjithë hapësirat tona, për një arsye shumë të veçantë, për koncertin, të cilin miku, shoku ynë e ka organizuar me kujdesin e vet personal dhe për të cilin është diskutuar shumë këto kohë. Ky koncert është një dhurate e bukur për qytetin e Tiranës. Nëse ju do të merrni sot në telefon çfarëdo lloj hoteli në qytet është i zënë prej ditësh. Nuk ka më asnjë vend. Prezenca e të gjithë atyre që kanë ardhur pikërisht për artistët që do të dëgjojmë nesër, pikërisht për këtë lloj arti, këtë lloj muzike, këtë lloj dëfrimi është diçka që tërheq dhe nuk i shërben vetëm Tiranës dhe jetës sonë kulturore, por edhe asaj kombëtare dhe ndërkombëtare”, u shpreh Ristani.
Nga ana e tij, këngëtari i njohur Noizy, teksa falënderoi Bashkinë e Tiranës për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, u shpreh i bindur në organizimin e eventeve të tilla edhe në vitet e ardhshme.
“Do jetë një natë e paharrueshme për të gjithë njerëzit që vijnë, për Tiranën edhe për shtetin tonë, sepse çdo person që vjen këtu nuk do vijë vetëm për një ditë por do rrijë disa ditë. Uroj që gjithçka të shkojë mirë dhe pse jo, të kemi edhe vitet e ardhshme evente të tilla me përmasa kaq gjigande ku marrin pjesë jo më pak se 56 shtete të botës. Ju falenderoj Ju personalisht, Bashkinë e Tiranës dhe gjithë institucionet që janë vënë në dispozicion të na japin një ndihmë sado të vogël. Faleminderit të gjithëve!”, tha ai