Prindër dhe persona të shumtë të shoqërisë civile kanë organizuar një marshim sensibilizues pas vrasjes së 14 vjeçarit, Martin Cani, ditën e hënë nga bashkëmoshatari i tij, pranë shkollës 9 vjeçare “Fan Noli”.
Ata po i drejtohen Ministrisë së Arsimit, nga ku do të bëjnë kërkesat e tyre për rritjen e sigurisë ndaj të miturve.
E veçanta e kësaj proteste është se nuk është një “thirrje politike”, por ngritja e të gjithë prindërve, gjyshërve të cilët kërkojnë sigurinë maksimale për të vegjlit e tyre.
Të pranishmit janë shfaqur me pankarta të ndryshme, për të shprehur mesazhet e tyre.
“Stop vrasjeve të fëmijëve tanë. Martin Cani nuk duhet të jetë vetëm një statistikë. Ai është një dritë që u fik!”
“Pse bën sikur jeton në një vend normal!”
“Martin Cani, një fëmijë më pak, një dështim më shumë. Ndal dhunës, neglizhencës. Drejtësi tani!”
“Heshtja jonë po na vret fëmijët. Sa viktima duhen që ne të ngremë zërin? Martin, të kemi vrarë të gjithë nga pak!”
Këto janë disa nga mesazhet e përcjella përmes pankartave nga të rriturit, të cilët po protestojnë për jetën e fëmijëve të tyre në institucionet arsimore.