Nis vaksinimi i mësuesve kundër gripit, Manastirliu: 368,000 vaksina do të jenë falas

Nis vaksinimi i mësuesve kundër gripit, Manastirliu: 368,000 vaksina do të jenë falas

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Arsimit Evis Kushi, ditën e sotme kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit ndaj gripit për mësuesit në Shkollën ‘1 Qershori’ në Tiranë.



Ministrja Manastirliu bëri me dije se ka nisur vaksinimi i mësuesve dhe do të shtrihet në të gjithë vendin, teksa shton se 368,000 vaksina kundër gripit do të jenë falas.

“Kategoria e mësuesve, e edukatorëve është një prioritet për ne. Pas edukatoreve të kopshteve dhe çerdheve, vijojmë me vaksinimin në mënyrë kapilare për arsimtarët në të gjithë vendin. Ky proces i rëndësishëm për mbrojtjen e shëndetit publik do të vazhdojë përgjatë gjithë muajit Dhjetor në vendin e punës, nëpërmjet qendrave shëndetësore, të cilat kanë në patronazh zonat respektive ku ka kopshte, çerdhe, shkolla. Qendra shëndetësore që mbulon zonën do të ketë një detyrë ekstra, vaksinimin në vendin e punës për këto kategori”, tha Manastirliu.

Ndërkohë, ministrja e Arsimit Evis Kushi e ka cilësuar vaksinimin një proces në kohën e duhur në këtë situatë të epidemisë.

“Zgjidhja që është gjetur për t’i kryer këto vaksinime në vendin e punës natyrisht që e lehtëson sistemin tonë shëndetësor në këtë situatë të vështirë pandmie. Dhe ne nga ana jonë si ministri, kemi marrë masa për tu ardhur në ndihmë mësuesve. Së pari ne kemi rritur numrin e mësuesve, kemi futur një mijë mësues shtesë në sistem, në mënyrë që ata mësues që janë me Covid, apo që janë të karantinuar për shkak të kontakteve, të vazhdojnë të rrinë në shtëpi dhe të zëvendësohen me mësues të tjerë nga portali “Mësues për Shqipërinë”, në mënyrë që procesi mësimor të vijojë rregullisht”, tha Kushi.