Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e platformës të koduar SKY ECC, ka nisur gjykimi në themel në Gjykatën e Posaçme për Krimet e Rënda (GJKKO) ndaj biznesmenit Pëllumb Gjoka.
Në seancën e parë, i akuzuari Gjoka nuk është paraqitur personalisht, por është mbrojtur nga avokatët Ylli Manjani dhe Gurali Brahimllari.
Prokurori i çështjes, Altin Dumani, njëherazi kreu i SPAK, kërkoi vijimin e shqyrtimit gjyqësor dhe njoftoi gjykatën për faktin se viktimat e veprës penale janë tashmë të njoftuar, pasi gjykata ka ezauruar të gjitha hapat ligjorë paraprakë.
Ndërkaq, avokati i Adrit Hasanbegajt, ish-shefit të Policisë, kërkoi shtyrjen e seancës për arsye proceduriale, duke theksuar nevojën për të pasur më shumë kohë për të kontaktuar me klientin dhe për të siguruar një mbrojtje efektive.
Avokatët e Pëllumb Gjokës, nga ana tjetër, kërkuan që seanca të shtyhej deri në afatin maksimal, duke pritur dhe zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Seanca e ardhshme e këtij procesi, mësohet se u caktua për datën 21 janar.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka, i cili kërkoi pavlefshmërinë e provave nga komunikimet në ‘Sky’ dhe ‘EncroChat’.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese
Sot, më 30.12.2024, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Pëllumb Gjoka dhe me objekt: “ Shfuqizimi i vendimeve nr. 94, datë 23.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;nr. 97, datë 29.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 38, datë 31.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krim in e Organizuar; nr. 00-2023-2238 (364), datë 22.12.2023, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për pjesën që kanë disponuar për caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” ndaj kërkuesit.Shfuqizimi ishkronjave “a” dhe “b” të pikës 1 dhe i pikës 4 të nenit 6, si dhe i pikës 2 të nenit 42 të ligjit nr. 95/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës Shqipërisë, për shkak se cenojnë pavarësinë dhe paanësinë e gjykatësve të posaçëm.”.
Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Gjykata, bazuar në nenet 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, vendosi, njëzëri, rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.