Avokati Spartak Ngjela dhe analisti Artur Zheji komentuan në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, zhvillimet e fundit politike, duke u ndalur kryesisht tek arrestimi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, një ditë më parë, nga SPAK.
Për avokatin Ngjela arrestimi i ish-ministrit Koka është një fillim i mbarë, ndërsa paralajmëroi se do të ketë të tjera goditje në radhët e të majtëve. Një nisje të mirë e ka cilësuar edhe Zheji, i cili tha në studio se me arrestimin e Kokës, SPAK tregoi se përbëhet nga hekuri dhe nuk është kauçuk.
Ngjela: Arrestimi i Kokës është risi për Shqipërinë. SPAK deri tani ka qenë, sipas burimeve të mia, në formim. Nuk ka funksionuar mirë BKH, se ti mund ta arrestosh atë, por duhet ta çosh në hetim. SPAK të arreston, por hetimin e bën BKH. Çështja qëndron që ky është hapi i parë, se ç’do të ndodhë nuk e dimë. Është denoncim i PD. Ka qenë fenomen i njohur. Pse është i vonuar? Këtë nuk e di, nuk mund ta kuptojmë. Duke u nisur nga eksperiencat, shoh që do të ketë akoma majtas, do të ketë goditje majtas akoma, sepse ndryshe nuk krijon moralitet. Nuk kishte mundësi të fillonte djathtas, sepse të gjithë do të thonin se e bën Rama, e bën PS. Pra, ka filluar shumë mirë. 80% e liderëve që kanë qenë në pushtet, kanë afera korruptive. Kështu thonë ekspertët e huaj. Këtu goditja nuk ka filluar tani majtas, ky është i treti, por është arrestimi i parë majtas. Nuk kanë rëndësi shifrat, por po nuk eliminuam korrupsionin e lartë shtetëror, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë të ardhme.
Zheji: Ky është një moment që vërteton besimin e palëkundur që avokat Ngjela ka pasur te SPAK. Sigurisht që do të ketë goditje të tjera majtas, por edhe djathtas. Edhe unë që kam qenë një nga skeptikët e mëdhenj të SPAK, do ju kthehem gjykimeve të reja. SPAK nuk zhgënjeu dhe kjo është shumë e rëndësishme. Unë mendoj që ky është një fillim i mbarë. Tani a është peshku i madh? Është njeri i fuqishëm, biznesmen i fuqishëm, njeriu që prishi balancat në Durrës, Lefter Koka është njeri me shumë peshë. Goditja që i është bërë atij, është provë që SPAK ka dhënë se nga çfarë materiali përbëhet, nga kauçuk, hekur, etj. Me këtë goditje, SPAK tregon se përbëhet nga hekuri, nuk është kauçuk.



