Një ngjarje e rëndë dhe misterioze ka tronditur qytetin e Çikagos të shtunën (13 shtator), pasi brenda pak orësh u gjetën në ujërat e liqenit Michigan tre trupa të pajetë, përkatësisht një grua dhe dy fëmijë të vegjël.
Sipas autoriteteve, rreth orës 14:30, në zonën South Hayes Drive, u gjetën trupat e një gruaje 31-vjeçare dhe të një djali 6-vjeçar. Ekipet e shpëtimit konfirmuan vdekjen e tyre në vendngjarje.
Më herët gjatë ditës, rreth orës 11:30 të paradites, në një tjetër pjesë të liqenit, është zbuluar trupi i një foshnje, që sipas burimeve paraprake, bëhet fjalë për një vajzë të vogël.
Policia e Çikagos deklaroi se të tre rastet janë të lidhura mes tyre dhe po hetohen si pjesë e një çështjeje të dyshuar për konflikt familjar. Megjithatë, rrethanat e sakta mbeten ende të paqarta, ndërsa identiteti i viktimave nuk është bërë publik deri në këtë fazë të hetimeve.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërkohë që autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht këtë tragjedi të rëndë.