EMISIONI VETTING
Përballja me sëmundjen e shekullit për pacientët me sëmundje tumorale nuk lidhet vetëm me barnat dhe cilësinë e tyre, por edhe me analizat. Një person që merr kimioterapi duhet të bëj analizat pasi nëpërmjet monitorimit vlerësohet gjendja shëndetësore dhe mënyra se si do vazhdojë trajtimi.
“Tani na kanë dalë problem analizat, nuk na bëjnë analizat, shkojë te drejtori në Durrës, nuk kemi ça të bëjmë, shkova dy herë në Ministri, nuk kemi lekë thonë,” shprehet Nazmi Picirri për koncesionin e laboratorit të analizave.
Një pacient nga Onkologjiku, që lufton për jetën përditë demaskon me fakte alarmin që kanë ngritur mjekët, laboratori i analizave nuk siguron. Nuk është hera e parë që koncesioni i laboratorit të analizave ngre shqetësimin. Aktualisht të 4 koncesionet e shëndetësisë janë nën hetim nga SPAK, ku hetimet për sterilizimin kanë përfunduar me ish ministrin Ilir Beqaj i akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Në fakt, nëse do të analizonim të gjitha problemet që ka shëndetësia shqiptare lidhen me fondet që shkojnë për kontrata koncesionare të cilat nuk ofrojnë shërbim.
“Ministria bashkë me qeverinë i kanë fondet, ky (kryeministri) shkon inauguron një spital qensh në një kohë që ne jemi duke vdekur në rrugë të madhe, ky është shteti jonë, që nuk pyet fare për ne” tha Nazmi Picirri.
I revoltuar, ai shpreh ndjenjën e zhgënjimit jo vetëm për shtetin, por edhe për faktin se edhe shërbimet që shteti ka marrë përsipër t’i sigurojë, nuk i realizon siç është koncesioni i laboratorëve.
“Po ne na kanë dalë problem me analizat, ne s’mundemi të dalim në diell. Thotë shko te mjeku i familjes, shko merr një dokument atje, shko te spitali, gjë që është krejt fallco. Ata e dina që ne jena të sëmurë. Shko na bëj ato analizat! Mos na sillni rrugëve poshtë e lart”, deklaron pacienti Nazmi Picirri.
Sipas tij, të dyja koncesionet janë me probleme, si ai laboratorëve, por edhe ai i Check- up.
“Analizat i kemi shumë problem, s’ka faj drejtori këtu në Durrës, që nga Kryeministri e deri te Ministria e Shëndetësisë kanë përgjegjësi”, tregon Nazmiu, duke kërkuar mbështetje nga institucionet.
Koncesioni për shërbimin laboratorik në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake në Shqipëri u fitua nga kompania “Laboratory Netëorks shpk”. Kompania ka disa ortakë, mes tyre shoqëria shqiptare “Labopharma”, si dhe kompani të huaja si “AB Laboratory Solutions” nga Holanda dhe “Exalab” nga Franca.
Procedura për këtë koncesion nisi në vitin 2016, ndërsa kontrata u nënshkrua në vitin 2019 me një afat 10- vjeçar. Kjo kontratë është nën hetim nga SPAK, ashtu si kontratat e tjera. Në total, të 4 kontratat koncesionare të shëndetësisë pritet t’u kushtojnë shqiptarëve 41.95 miliardë lekë ose 420 milionë euro deri në fund të vitit 2026.
“Unë i kam quajtur 4 kontratat koncesionare, i kam quajtur një vjedhje dhe futje duarve në xhepat e pacientëve”, tha Dr .Dasho.


