Policia e Durrësit ka arrestuar dy shtetase braziliane, të cilat dyshohet se kishin marrë me qira dy ambiente dhe i kishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit.
Shtetaset N. P., 26 vjeçe, dhe M. B., 39 vjeçe, lindur dhe banuese në Brazil, dyshohen për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion” pronari i ambienteve, shtetasi F. T., 30 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prostitucionit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Storm 15”.
Operacioni u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një hetimi dyjavor me metoda speciale hetimi.
Dy shtetaset e huaja kishin marrë me qira dy ambiente, të cilat i kishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit.
Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetaset N. P., 26 vjeçe, dhe M. B., 39 vjeçe, lindur dhe banuese në Brazil, të dyshuara për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Në vijim të veprimeve procedurale u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni” një shtetas 22 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion” pronari i ambienteve, shtetasi F. T., 30 vjeç, banues në Fushë-Krujë.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, një shumë parash, tetë aparate celularë, një DVR, karta telefonike, dy blloqe shënimesh, si dhe dy sasi të vogla të lëndës narkotike, të dyshuara kanabis.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetaset e arrestuara kishin marrë me qira dy ambiente në rrugën “Dalip Peza”, në lagjen nr. 17 të Durrësit, të cilat i kishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të prostitucionit.
Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, njëra prej shtetaseve të huaja refuzoi të hapte derën e ambientit ku ndodhej, e cila u hap më pas me ndihmën e shërbimit zjarrfikës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.


