Pas një ndërprerjeje të paprecedentë prej 10 ditësh, ekrani i News24 është sërish në transmetim.
Ndërprerja e imponuar e sinjalit të televizionit më të madh informativ në vend mori fund sot me rikthimin e tij pranë shikuesve tanë besnikë. Pas ndërhyrjeve arbitrare që e bënë të pamundur vazhdimin e transmetimeve nga ambientet e mëparshme, News24 ka gjetur forcën dhe rrugën për të vijuar punën nga një hapësirë e re, duke mos hequr dorë nga misioni i tij.
Ky rikthim është më shumë se një moment teknik; është dëshmi se liria e medias nuk mund të ndalet me urdhra, barriera apo prani policore e ushtarake. Ai është fryt i besimit dhe mbështetjes së shikuesve që na kanë qëndruar pranë në ditët më të vështira.
News24 rikthehet më i fortë, më i vendosur dhe me bindjen se kjo nuk është një nisje nga e para, por vazhdimi i betejës sonë të përditshme për të sjellë informacion të lirë, të pavarur dhe të pandikuar për publikun shqiptar.


