Botuesi i “Focus Group”, Irfan Hysenbelliu ka reaguar pas sulmit brutal ndaj mediave, News24, Balkanweb, Gazetës Panorama, Panorama Sport dhe Gazetës Shqiptare, të cilin e ka quajtur si akt të paprecedentë dhe të paligjshëm të ndërmarrë ndaj këtij grupi mediatik.
Zoti Hysenbelliu shprehet se pa asnjë paralajmërim apo urdhër gjykate, forcat e policisë dhe ushtrisë kanë bllokuar hyrjen e televizionit dhe ndërprerën sinjalin e transmetimit të News24, ndërkohë që gazetarët u dëbuan forcërisht nga redaksitë e tyre.
“Ky nuk është një incident i zakonshëm. Ky është një akt brutal që përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar.
Në mënyrë të fshehtë, civilë me automjete të paidentifikuara janë futur në ambientet e zyrave dhe redaksisë tonë dhe kanë marrë dokumente konfidenciale, materiale të ndjeshme dhe dosje që lidhen me hetime serioze mbi korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin. Këto materiale janë rezultat i një pune të ndershme, të rrezikshme dhe të palodhur nga gazetarët tanë – dhe tani, përveç dëmit moral, po rrezikohet realisht edhe jeta e tyre. Ky është një paralajmërim i qartë dhe i rrezikshëm për çdo media që guxon të hetojë dhe të flasë për të vërtetën”, shprehet z.Hysenbelliu.
Më tej, z. Hysenbelliu i është drejtuar me një mesazh punonjësve të News24, duke i siguruar këta të fundit se televizioni më i ndjekur informativ nuk do të mbyllet dhe se misioni do të vazhdojë.
“Ju drejtohem të gjithë punonjësve të News24: Mos u dorëzoni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj. Ne kemi raportuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe integritet – dhe nuk do të lejojmë që dhuna apo presioni ta shuajë zërin tonë. News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket”, shprehet në mesazhin e tij, z.Irfan Hysenbelliu.
Botuesi i “Focus Group” i ka drejtuar një apel ndaj institucioneve shtetërore që të ndalojnë veprimet represive ndaj News24 dhe Panorama Group, por te lejojnë gazetarët të rikthehen në vendin e tyre të punës, në respekt të Kushtetutës së vendit.
“Ju bëj thirrje institucioneve të shtetit: Të ndalojnë menjëherë çdo veprim represiv, të rikthejnë sinjalin e televizionit, të lejojnë gazetarët të kthehen në vendin e tyre të punës dhe të respektojnë ligjet dhe parimet e shtetit të së drejtës.
I falënderoj përzemërsisht gazetarët tanë, organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të medias, partnerët tanë dhe qytetarët që po tregojnë solidaritet në këtë moment kritik. News24 do vazhdoje te jete dritarja e së vërtetës, misioni ynë do vazhdojë! Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të tërhiqemi”, shprehet zoti Irfan Hysenbelliu.
DEKLARATË PËR SHTYP E BOTUESIT TE “FOCUS GROUP”, IRFAN HYSENBELLIU
Tiranë, 12 Gusht 2025
Si botues i “Focus Group”, i News24, Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport, Panorama Online dhe Gazeta Shqiptare Online dënoj me forcë të gjitha veprimet e rënda, të paprecedenta dhe tërësisht të paligjshme që janë ndërmarrë ndaj Grupit tonë mediatik.
Sot, pa asnjë paralajmërim, pa urdhër gjykate dhe pa asnjë bazë ligjore të justifikuar, forca të shumta të policisë dhe ushtrisë kanë bllokuar hyrjen në ambientet e televizionit, kanë ndërprerë me forcë sinjalin e transmetimit dhe kanë ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në punën e gazetarëve tanë dhe stafit teknik.
Ky nuk është një incident i zakonshëm. Ky është një akt brutal dhe përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar. Në mënyrë të fshehtë, civilë me automjete të paidentifikuara janë futur në ambientet tona dhe kanë marrë dokumente konfidenciale, materiale të ndjeshme dhe dosje që lidhen me hetime serioze mbi korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin.
Këto materiale janë rezultat i një pune të ndershme, të rrezikshme dhe të palodhur nga gazetarët tanë – dhe tani, përveç dëmit moral, po rrezikohet realisht edhe jeta e tyre.
Ky është një paralajmërim i qartë dhe i rrezikshëm për çdo media që guxon të hetojë dhe të flasë dhe të publikojë të vërtetën.
Ju drejtohem të gjithë punonjësve të News24 dhe grupit mediatik “Panorama”: Mos u dorëzoni! Qëndroni të fortë, të qetë dhe krenarë për misionin tuaj. Ne kemi raportuar me ndershmëri, profesionalizëm dhe integritet – dhe nuk do të lejojmë që dhuna apo presioni ta shuajë zërin tonë.
News24 nuk mbyllet. E vërteta nuk zhduket.
Ju bëj thirrje institucioneve të shtetit: Të ndalojnë menjëherë çdo veprim represiv, të rikthejnë sinjalin e televizionit, të lejojnë gazetarët të kthehen në vendin e tyre të punës dhe të respektojnë ligjin dhe parimet e shtetit të së drejtës.
I falënderoj përzemërsisht gazetarët tanë, organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të medias, partnerët tanë dhe qytetarët që po tregojnë solidaritet në këtë moment kritik.
News24 do vazhdoje te jete dritarja e së vërtetës, misioni ynë do vazhdojë!
Ne nuk do të heshtim. Ne nuk do të tërhiqemi.