Të tjera detaje janë zbuluar lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Fier (9 prill), ku nënë e bir, Suzana dhe Hysen Mërnica, u qëlluan me armë zjarri, por për fat të mirë arritën të shpëtonin nga plumbat.
Sipas gazetarit Igli Çelmeta, shkaku i sherrit ka qenë një konflikt mes të rinjve që ka ndodhur një muaj më parë, konkretisht mes të lënduarit Hysen Mërnica dhe Ali Cimilit, ky i fundit i shpallur në kërkim pas ngjarjes së djeshme.
Mësohet se Ali Cimili, së bashku me të atin, Afrim Cimili, i cili është arrestuar, i kanë dalë përpara Suzana Mërnicës dhe djalit të saj, Hysen Mërnicës, teksa ata po lëviznin me motor. Nga të shtënat, nënë e bir nuk janë plagosur, por janë goditur nga makina e autorëve. “Palët e përfshira në sherr rezultojnë se janë kushërinj,” raportoi Çelmeta.
Igli Çelmeta: Policia ka zbardhur ngjarjen e djeshme në Fier, ku u plagosën nënë e bir. Policia ka arrestuar Afrim Cimilin dhe ka shpallur në kërkim Ali Cimilin, si dhe babanë e tij. Babë e bir i kanë dalë përpara nënës dhe djalit, Suzana Mërnicës dhe djalit të saj, Hysen Mërnicës. Nga të shtënat nuk janë dëmtuar nënë e bir, por janë plagosur nga goditja prej makinës së autorëve. Shkak për ngjarjen dyshohet se është një konflikt i ndodhur një muaj mes Hysen Mërnicës dhe Ali Cimilit. Palët e përfshira në sherr rezultojnë se janë kushërinj. Është arrestuar Afrim Cimili dhe është shpallur në kërkim djali i tij.
Njoftimi i policisë:
Fier/Zbardhet dinamika e ngjarjes së djeshme, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku u dëmtuan 2 shtetas.
Në bashkëpunim me djalin e tij, qëlloi me armë zjarri, në drejtim të 2 shtetasve (nënë e bir), lokalizohet dhe arrestohet 66-vjeçari. Punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij.
Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Paraprakisht u dyshua se shtetasja S. M. ishte plagosur nga të shtënat me armë zjarri, por nga ekspertiza mjeko-ligjore rezultoi se 2 shtetasit (nënë e bir) u dëmtuan nga goditja e motomjetit me të cilin ata lëviznin, nga automjeti që drejtonte shtetasi i shpallur në kërkim.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 09.04.2025, te mbikalimi i fshatit Dërmenas, ku shtetasit A. C., 66 vjeç dhe A. C., 23 vjeç, babë e bir, të dy banues në këtë fshat, dëmtuan shtetasit H. M., 26 vjeç dhe S. M., 50 vjeçe, nënë e bir, të dy banues në fshatin Sulaj, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorëve përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore u zbardh dinamika e rastit, si dhe u kap dhe u vu në pranga 66-vjeçari.
Nga këto veprime dyshohet se shtetasit A. C. dhe A. C., për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet 23-vjeçarit dhe 26-vjeçarit, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjetit me të cilin lëviznin shtetasit H. M. dhe S. M.. Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar. Më pas, 23-vjeçari ka goditur me automjetin me të cilin lëvizte, motomjetin, dhe është larguar nga vendngjarja, së bashku me babanë e tij. Si pasojë e goditjes së motomjetit, janë dëmtuar shtetasit H. M. dhe S. M., të cilët janë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje janë sekuestruar gëzhoja dhe prova që do t’i shërbejnë hetimit për këtë ngjarje. Gjithashtu, janë sekuestruar njëri prej automjeteve të përdorur prej autorëve dhe 3 celularë.
Vijojnë kërkimet për kapjen e 23-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtjeshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.