Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali, një grua rreth 30 vjeç dhe vajza e saj 6-muajshe janë gjetur të pajeta në parkun Villa Pamphili në Romë, në rrethana misterioze.
Sipas autopsisë paraprake, gruaja nuk ka konsumuar lëndë narkotike si heroina, por analizat vazhdojnë për të përjashtuar praninë e drogave sintetike apo substancave të tjera.
Identiteti i viktimave mbetet i panjohur. ADN-ja dhe gjurmët e gishtërinjve të gruas janë dërguar në bazat ndërkombëtare të të dhënave, pasi në ato italiane nuk rezulton asnjë përputhje.
Ndërkohë, në një kosh mbeturinash afër vendit të ngjarjes u gjet një fustan rozë, që dyshohet se i përkiste foshnjës. Autoritetet po analizojnë fustanin për gjurmë ADN-je ose prova të tjera që mund të çojnë te autori i ngjarjes.
Prokuroria dyshon se foshnja është mbytur, ndërsa gruaja mund të ketë ndërruar jetë 4–7 ditë më parë, ndoshta nga shkaqe natyrale ose të tjera ende të paqarta. Trupi i saj ishte i mbuluar me një qese të zezë plastike, rreth 150 metra larg nga vendi ku u gjet e vogla, duke ngritur dyshime për ndërhyrje nga një person i tretë.
Një nga pistat e hetimit sugjeron që babai i foshnjës mund të ketë qenë në park në momentin e ngjarjes dhe është aktualisht i dyshuari kryesore.