Maturantët në të gjithë vendin i janë nënshtruar sot provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, një test ky vendimtar për mbylljen e ciklit të gjimnazit dhe për pranimin në arsimin e lartë.
Rreth 27 mijë nxënës marrin pjesë në këtë provim të standardizuar, i cili zhvillohet në 145 qendra testimi të shpërndara në të gjithë Shqipërinë. Testimi ka nisur në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta, duke përfshirë pyetje me alternativa dhe zhvillim.
Provimi i sotëm është i dyti në kalendarin e Maturës Shtetërore 2025. Më 3 qershor, maturantët zhvilluan provimin e parë të detyruar, atë të Gjuhës së Huaj, ndërsa më 17 qershor do të testohen në Matematikë.
Cikli përmbyllet më 24 qershor, me lëndën me zgjedhje, që varet nga profili i ndjekur gjatë gjimnazit dhe drejtimi i studimeve që maturantët synojnë në universitet.
Rezultatet e këtyre provimeve, së bashku me mesataren e viteve të shkollimit, janë elementë kyç në përzgjedhjen e kandidatëve për kuotat në universitetet publike dhe private në vend.