Ka nisur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca paraprake ndaj kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, dhe 14 të pandehurve të tjerë, mes tyre zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë Kolonjë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Të pandehurit akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Hetimi i SPAK lidhet me tre procedura prokurimi të zhvilluara gjatë vitit 2020, me një vlerë totale që i kalon 30 milionë euro.
Përveç kryebashkiakut Erion Isai, në listën e të pandehurve janë edhe ish-zëvendëskryetarja e Bashkisë Kolonjë, Eljona Mydini, si dhe disa punonjës të këtij institucioni.
TË PANDEHUR:
ERION ISAI – kryetar i Bashkisë Kolonjë
ELJONA MYDINI – ish-zv.kryetare e Bashkisë Kolonjë
ERJON CENKO – punonjës i Bashkisë Kolonjë
ENGJËLL DINE – punonjës i Bashkisë Kolonjë
ERMAL ZYLFO – punonjës i Bashkisë Kolonjë
ARMAND TAFIL – punonjës i Bashkisë Kolonjë
MUHARREM TARTARI – punonjës i Bashkësisë Kolonjë
SHPËTIM LIÇO – punonjës i Bashkisë Kolonjë
ERGYS VERDHO – ish-kreu i ARRSH-së
ERALD ELEZI – ish-drejtor në ARRSH
GENTI RAÇA – përgjegjës preventivi në ARRSH
DONIKË SHEHU – ish-specialiste në ARRSH
KLARITA KONOMI – ish-specialiste në ARRSH
NIKOLLAQ MIHALI – specialist në ARRSH
ERDIT SALILLARI – përgjegjës sektori në ARRSH
Në hetim janë përfshirë gjithashtu ish-zyrtarë të Autoritetit Rrugor Shqiptar, mes tyre ish-kreu i ARRSH-së, Ergys Verdho, ish-drejtori Erald Elezi, si dhe specialistë e përgjegjës sektorësh.
Sipas SPAK, hetimet janë fokusuar te mënyra e zhvillimit dhe administrimit të procedurave të prokurimit të vitit 2020, për të cilat dyshohet se mund të jenë shoqëruar me shkelje të dispozitave ligjore.
Pas shqyrtimit të dosjes, GJKKO do të vendosë nëse çështja do të kalojë në proces gjyqësor, do të rikthehet për plotësim hetimesh apo do të pushohet.



