Policia e Kosovës ka konfiskuar 91 kilogramë marijuanë në një aksion të zhvilluar mbrëmë në fshatin Konushevc, afër Podujevës, me ç’rast është arrestuar një person dhe po vazhdojnë kërkimet për tre të dyshuar të tjerë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Drejtori i Departamentit të Policisë për Luftën kundër drogës, Reshat Murseli, pasdite në konferencë për shtyp deklaroi se droga e konfiskuar në Kosovë ishte e importuar nga Shqipëria dhe ishte e dedikuar fillimisht për vendet fqinje, e më pas për vendet evropiane.
Murseli bëri të ditur se gjatë aksionit, i cili ishte përgatitur për një kohë të gjatë pas të dhënave operative të mbledhura paraprakisht, është lënduar lehtë një polic, ndërsa nga policia janë shkrepur dy plumba, nga të cilët nuk ka të lënduar.
“Të dyshuarit nuk i janë bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, por kanë shtuar intensitetin e lëvizjes së tyre me automjetin, duke shkaktuar përplasje, duke i shkaktuar lëndime të lehta një hetuesi dhe duke i shkaktuar dëme materiale automjetit të policisë. Automjeti i dyshimtë me targa gjermane është ndalur rreth 200 deri në 300 metra larg vendit të ngjarjes, ndërsa të dyshuarit kanë dalë prej saj dhe kanë arritur të ikin. Gjatë kontrollit në vend të automjetit, policia ka zbuluar dhe konfiskuar 36 pako me lëndë narkotike, me peshë totale 91 kilogramë”, tha Mureseli.
Pas bastisjes së disa shtëpive që dyshohet se janë përdorur nga të dyshuarit për trafik ilegal të drogës, një person është arrestuar, ndërsa për tre të tjerë është lëshuar urdhër-arrest.