Vetëdorezohet në policinë e Durrësit, Daniel Pepa, i cili ndodhej në kërkim për vrasjen e Flori Paluçit në Manzë të Durresit me 22 tetor të këtij viti.
Rreth orës 01:45 të natës (22 tetor), një konflikt i nisur për një kafe në një lokal në Manëz përfundoi tragjikisht me dy të vrarë. Debati shpërtheu pasi kamarieri i lokalit, 23-vjeçari Aranit Kurti, i tha klientit Daniel Pepa se ekspresi ishte i fikur dhe nuk mund të përgatiste kafe.
Përplasja verbale u tensionua pasi ndërhyri 33-vjeçari Flori Paluçi në mbrojtje të kamarierit.
Të rinjtë dolën jashtë lokalit, ku sipas hetimeve paraprake Paluçi qëlloi i pari dhe vrau kamarierin Kurtin. Më pas, Daniel Pepa mori armën dhe vrau Paluçin.
Pepa u shpall në kërkim, ndërsa disa persona u shoqëruan për të ndihmuar hetimin.


