Një 52-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Cërrik në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 56”.
I arrestuari është Albano Kume, banues në Cërrik, i cili kërkohej për vepra të rënda penale, përfshirë “dhunë seksuale”, “rrëmbim personi”, “vjedhje” dhe “shkelje të rregullave për armët”, të kryera në territorin italian. Për këto akuza, Kodi Penal i Italisë parashikon deri në 15 vite burgim.
Operacioni u finalizua nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Interpol Tiranën, e cila tashmë ka nisur procedurat për ekstradimin e Kumet drejt Italisë.
Policia e Shtetit konfirmon se arrestimi është pjesë e një serie goditjesh ndaj personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar që fshihen në territorin shqiptar.