Një ditë pas atentatit në Lushnje ndaj Julian Sulës, i njohur si “Juli i Pashakos” nuk ka ende asnjë informacion mbi autorët. Panorama Online siguroi një foto, ku shihen dy persona, të cilët qëllojnë në drejtim të makinës së 45-vjeçarit.
Gazetarja Xhensila Kodra thotë se “autorët kanë qenë tre, dy prej tyre kanë qëlluar, ndërsa njëri ishte shofer”, ndërsa thekson se “ata kanë qëndruar me makinë të parkuar duke pritur objektivin”.
Sipas gazetares nga ekspertimi rezulton se në anën e shoferit, “është qëlluar me tetë plumba” dhe se “plaga në këmbë nuk ishte e shkaktuar nga arma e zjarrit, por ishte e shkaktuar nga ashklat e armës së zjarrit”.
Ndërkohë në dëshminë e tij, 45-vjeçari Sulo ka deklaruar se “ishte duke mbledhur disa fonde për të ndihmuar një fëmijë me probleme”.
Ngjarja
Julian Sulo, i njohur si i forti i Lushnjës i ka shpëtuar një atentati të organizuar ndaj tij në afërsi të spitalit të qytetit. Ai po lëvizte me makinën e tij tip ‘BMV’ në afërsi të spitalit të Lushnjës, kur 3 autorë ende të paidentifikuar i kanë zënë në pritë dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me breshëri kallashi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40, ndërsa 45-vjeçari Sulo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Plumbat e kallashit që u derdhën drejt makinës së tij e kanë kapur në këmbë, ndërsa ishte i vetëm në mjet. Autorët kanë qenë në makinë në momentin e qitjes dhe kanë qëlluar në lëvizje.
Pak minuta pas atentatit, mjeti i autorëve ‘Nissan’ u gjet i djegur në fshatin Lifaj. Brenda tij është gjetur edhe arma që kanë përdorur për të qëlluar në drejtim të 45-vjeçarit. Policia ngriti menjëherë pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit, ndërsa grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve, te cilat lidhen me konfliktet e hershme mes grupeve kriminale të Lushnjës.
Sulo është shoqëruar në Komisariat për të dhënë dëshminë e tij. “Nuk kam konflikte me asnjë”, ka deklaruar para hetuesve. Ndërkohë në polici janë shoqëruar edhe gjashtë persona.
Kush eshte Juli i Pashakos
Julian Sulo njohur ndryshe si “Juli i Pashakos” punon e jeton në Karbunarë të Lushnjës, ku menaxhon një bar–restorant së bashku me familjen.
Ai është rival i Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës. Sulo ka qenë i dyshuar edhe për atentatin e organizuar ndaj nipit të Bares, Xhulio Shkurti, në 2017-ën. Sulo u la i lirë pasi nuk kishte asnjë provë që e lidhte me atentatin, që njihet ndryshe edhe si masakra e Lushnjës.
Për këtë ngjarje, janë dënuar me burg të përjetshëm, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, vendim i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë më 21 nëntor 2025. Në masakrën e Lushnjës u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si dhe u plagosjes e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut.


