Kur ka pavarësi, ka rezistencë dhe rrjedhimisht ka konflikt. Por në këtë rast qeveria, e cila duhet të garantojë të drejtat dhe mbrojtjen e qytetarëve është agresori që kërkon të imponohet me dhunë dhe forcë në media.
“Mënyra sesi ka vepruar policia dhe ushtria nuk ka lidhje fare me ligjin, kanë shkelur një sërë dispozitash ligjore të cilat flasin për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës, futjen e përmbarimit gjyqësor i cili bën ekzekutimin e vendimit të gjykatës të aksesit të palës e cila mund të ketë humbur vendimin e gjykatës për të aksesuar te pjesët, prona e tij dhe te sendet që janë pjesë e asaj prone.” – u shpreh avokati, Redi Ramaj.
Në Shqipëri herë pas here çdo qeveri ka bërë kurban median për t’i përcjellë një mesazh jo vetëm platformave të tjera mediatike, por edhe vetë qytetarëve. Liria e fjalës është një sofizëm në Shqipëri. Mund të kritikosh qeverinë me retorikë boshe, ta kritikosh nëpër rrjetet sociale, mund të thuash që politikanët janë të korruptuar, mund të thuash që janë të lidhur me këtë apo atë oligark.
“Nga njëra anë, në një godinë kanë shkallmuar dyer e çfarë kanë gjetur, kanë aksesuar dokumenta fizik, sikundër mund të kenë marrë dhe kanë marrë kompjutera e çfarëdo tjetër. Është një godinë tjetër ku ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur këto 10 ditë. A kanë hapur kompjutera, a janë marrë kompjutera, a kanë dalë nga ndërtesa a janë aksesuar dokumenta të tjera dhe kjo është mjaft e rrezikshme.”- u shpreh gazetari Osman Stafa.
Por, kur gazetaria investigative mundohet të ekspozojë me prova dhe fakte ato që u thanë më lart, segmente të caktuara të qeverisë, zakonisht të korruptuara do mundohen që të mos lejojnë. Është kjo fije e hollë që ndan të vërtetën nga propaganda, gazetarinë investigative nga klithmat në rrjetet sociale apo televizive.
“Nuk mund të sekuestrohen materiale, dosje investigative, materiale që lidhen me hetime korrupsioni nga shteti ose institucionet shtetërore të cilat janë në konflikt interesi ose kanë pasur vetë problematika te ky emision.” – u shpreh avokati Ramaj.
Por pse u ndalëm këtu?
Në momentin që u sulmua “News24”, në një krah me qeverinë filloi propaganda në rrjetet sociale dhe platformat e tjera mediatike, duke u marrë me konfliktin e qeverisë shqiptare dhe kompanisë private. Qëllimi i këtyre përpjekjeve ishte deformimi i debatit publik pasi po injorohej dhe groposej puna e redaksive të “News24” me spitalet, me grupet kriminale, me tenderat dhe korrupsionin në drejtësi.
“Në asnjë vend të Bashkimit Evropian, por edhe më gjerë, Bjellorusi, një ndërhyrje e tillë do të ishte skandaloze dhe e paarsyeshme nga institucionet shtetërore. Një media nuk mund të trajtohet si një kompani e thjeshtë private, si një biznes privat por, duhet të trajtohet në shkallë më siperiore që i takon, siç e thonë dhe ligjet e BE”- tha kryetari i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj.
Krijimi i kaosit dhe minimi i besueshmërisë krijon një shoqëri kaotike të përçarë, që dyshon çdo gjë dhe çdokënd dhe kaosi i intereson atij që ka pushtetin dhe do që ta ruajë atë. Kjo është një edhe nga arsyet që ne jemi në gjendjen që jemi sot.
Për të kuptuar sulmin ndaj platformave mediatike të “FOCUS MEDIA GROUP” dhe “Panorama Group” duhet të kthehemi një dekadë mbrapa në kohë në mbylljen e televizionit “Agon Channel” dhe bllokimin e televizionit “Ora News”.
E përbashkëta e të treja televizioneve rezulton linja editoriale, e cila nuk i vjen për shtat qeverisë shqiptare. Të treja këto televizione kanë përcjellë shqetësimet e qytetarëve, investigime dhe denoncimet e opozitës shqiptare.
“Mua më vjen keq se disa po marrin kosto, po përpiqen për këtë vend dhe disa të tjerë pastaj, nga ai telefoni që kanë akses në shtëpi, i japin drejtim duke nxjerrë vrer duke sharë dhe fyer çfarë i shkon në mendje.”- tha gazetari Osman Stafa teksa flet për tjetërsimin e problemit në debatin publik online.
“Kur cenohet liria e medias askush nuk duhet të mbyllë gojën, dhe veprimi apo heshtja e tyre e bën shumë të rëndë dhe kuptimplotë aktin e mbylljes së televizionit News24.”-tha Drejtoresha e Përgjithshme e News24.
Rastet e mbylljes së televizioneve kanë rezultuar me një faturë të shtrenjtë në arbitrazh për buxhetin publik, pasi gjobat nga Gjykata Europiane nuk i paguajnë ministrat dhe deputetët, por qytetarët shqiptarë. Këto raste janë sinjale që ndërhyrja te “News24” do të jetë një tjetër rast, ku shteti do marri para nga xhepat e qytetarëve për të paguar me një faturë deri në 100 milionë euro për gafat dhe inatet e qeverisë shqiptare.
Sulmi ndaj televizionit, gazetave print dhe online ishte një efekt domino që bie mbi një grup gazetarësh, të cilët prej vitesh raportojnë nga terreni dhe zyrat e televizionit shkeljet ligjore të institucioneve publike, organizatat kriminale, vjedhjen e fondeve nga zyrtarët e lartë dhe problemet në shëndetësi.