Ndihmës Sekretari i Shtetit në SHBA, Philip Reeker, e ka vizituar sot ambasadën e Kosovës në Çeki.
Reeker në këtë takim ishte pritur nga ambasadori i shtetit tonë në atë vend, Arbër Vllahiu.
“Jashtëzakonisht i nderuar me vizitën e ndihmës sekretarit të Shtetit të SHBA-së, z. Philip T. Reeker në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Pragë”, ka thënë Vllahiu për këtë takim.
Vllahiu ka thënë se është nder i veçantë që të pres në takim një mik të madh të shtetit të Kosovës. Ai ka treguar se në këtë takim është folur për tema të ndryshme me interes të veçantë për shtetin tonë.
“Një nder i veçantë për të pasur mysafir z. Reeker, mikun e Kosovës në shtëpinë e Kosovës në Pragë e për të ndarë për pak çaste pikëpamje për çështje të ndryshme”, tregon ambasadori Vllahiu.
“Kosova është e bekuar me miqësinë e përhershme me SHBA-në”, shtoi ai.
Philip Reeker është krahu i djathtë i Sekretarit të Shtetit në SHBA, Mike Pompeo. Ai po qëndron në vizitë në Republikën Çeke ku ka pasur takime me zyrtarë të lartë të këtij vendi. Ai ka diskutuar me zyrtarët çekë për rolin dhe rëndësinë e Aleancës Euroatlantike, NATO, si dhe për tema të politikës së jashtme. Po ashtu Reeker ka vizituar qendrën e Radio Europa e Lirë në këtë shtet dhe ka mbajtur takime me gazetarë të kësaj medie që raporton lajme në 22 vende, përfshirë vendin tonë. /Express/