Prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli ka dërguar një shkresë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama lidhur mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.
Prokurorja Elsa Gjeli shprehet se shkresa është dërguar në KLP në mbrotje të dinjitetit dhe pavarësisë sime profesionale, e cila sipas saj është cënuar.
Në shkresë, ajo shprehet se qëndrimi publik është i paprecedentë, si edhe diskriminues, duke theksuar “synon të frikësojë përmes turpit publik dhe nënçmimit figurën e një Magjistrateje të re në shërbim të shtetit”.
Elsa Gjeli kërkoi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që të “ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura”.
“Të shqyrtohet mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë”, theksoi ajo.
Ndërsa shtoi se “Deklaroj se jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional”.
Pjesë nga shkresa:
Paraqes këtë kërkesë zyrtare pranë institucionit tuaj, në mbrojtje të dinjitetit dhe pavarësisë sime profesionale, të cenuar publikisht dhe në mënyrë të përsëritur nga Kryeministri i Republikës, z. Edi Rama.
Prokuroria ka regjistruar një kallëzim penal më 28.05.2025 pas një referimi nga policia dhe çështja më është caktuar për verifikim me short elektronik. Nga ky referim i policisë rezultonte se në lagjjen Fushë-Theth, në fshatin Theth, Njësia Administrative Shalë, Bashkia Shkodër, nga ana e I.M.T-së ishte konstatuar vendosja e 10 kontenjerëve, në pronën e shtetases Lene Prroni. Këta objekte nuk kishin bazament betoni, por ishin të vendosur në të katër qoshet mbi rrasa guri të prera, sipas referimit të bërë nga Policia Gjyqësore. Gjatë këqyrjes në oborr janë konstatuar pllaka betoni si ato që përdoren për trotuare si dhe llamarina model sanduiç. Në vend nuk është konstatuar prezenca e ndonjë personi. Shtetasja Lene Prroni, e pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, ka deklaruar se: Kapanonet e gjetura janë të vendosura në pronën e saj, të cilën e ka të trashëguar nga paraardhësit e saj. Deklaron se është interesuar pranë bashkisë për të marrë leje ndërtimi për vendosjen e tyre, por i kanë thënë se nuk japin leje, pasi duhen dokumente pronësie që të përfitosh dhe ajo nuk ka dokumente pronësie, por e ka të trashëguar pronën brez pas brezi. Gjithashtu ka shpjeguar se, në dijeninë e saj, për objektet që janë pa themele, pa betone, nuk ka nevojë për të marrë leje. Tregon se paratë për ndërtimin e këtyre kapanoneve i ka marrë borxh, tek të afërmit e saj, për të ndërtuar këta kapanone, si dhe ka pasur rreth 300 krerë bagëti në Dukagjin, por duke qënë se nuk kishte çoban për t’u kujdesur për to, i ka shitur të gjitha. Në referimin e bërë nga Komisariati i Policisë Shkodër, citohej se Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit Bashkia Shkodër e konsideronte vendosjen e kontenjerëve kundërvajtje administrative. Në përfundim të veprimeve verifikuese, në datë 30.05.2025 kam vendosur mosfillimin e procedimit penal për këtë kallëzim, pasi fakti nuk përbënte vepër penale, por duke sqaruar se jemi në kushtet e kundravajtjes administrative. Me 07.07.2025 janë publikuar pamjet e vendit të ngjarjes. Pikërisht në këtë datë ka dalë me prononcimin e parë të tij publik me tone denigruese edhe z. Kryeministër, duke vijuar edhe në ditën pasardhëse. Nga këto pamje kam konstatuar se, vendi i ngjarjes kishte ndryshuar, duke u betonizuar sheshi ku ishin vendosur kontenjerët, lidhur energjia elektrike dhe kontenjerët duket se ishin të përdorshëm/banueshëm.
Në datat 7-8 korrik 2025, Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, përmes konferencave publike, postimeve në rrjetet sociale (Facebook, Instagram etj.) dhe deklaratave për media, u shpreh në mënyrë të përsëritur dhe agresive në lidhje me këtë çështje, duke përmendur emrin tim personalisht dhe duke më akuzuar se:
• “Kam hedhur në kosh një krim të shumëfishtë”;
• “Jam përfaqësuese e drejtësisë që mbron shkatërrimin e pronës publike”;
• “Kam vepruar në mënyrë arbitrare dhe të dyshimtë”;
• “Duhet të mbaj përgjegjësi për vendimin tim” etj.
Këto deklarata janë bërë në kapacitetin e tij si Kryeministër, duke ndikuar në perceptimin publik, duke më ekspozuar ndaj një lincimi të pashembullt mediatik dhe duke minuar çdo kuptim të drejtësisë, si një sistem i ndarë nga pushteti ekzekutiv.
Ky qëndrim publik është:
• I paprecedentë në një shtet demokratik, ku pavarësia e magjistratëve është e garantuar me Kushtetutë;
• Personal, pasi godet një Prokuror të ri në detyrë, me eksperiencë të pastër, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm profesionalizmin tim, por edhe aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur dhe logjike;
• Diskriminues, pasi synon të frikësojë përmes turpit publik dhe nënçmimit figurën e një Magjistrateje të re në shërbim të shtetit.
Presioni publik ndaj meje tejkalon çdo kritikë të lejuar politike dhe synon të më vendosë në shënjestër për arsye tërësisht të lidhura me vendimmarrjen time profesionale. Vlerësoj të rëndësishme ndër të tjera të ndalem në disa momente të lidhur jo vetëm me dinamikën e fundit të ngjarjeve, të cilat shkojnë përtej normales, por edhe të lidhur me karrierën time profesionale nga momenti i fillimit të detyrës, për të cilën jam betuar para Kushtetutës që do t’a mbroj me solemnitet deri në momentin final të ushtrimit të saj.
Vlerësoj të theksoj faktin që pavarësisht çdo vështirësie që paraqet profesioni i Prokurorit, si dhe dinamikës së tij, do të ribëja çdo ditë të njëjtën zgjedhje, edhe pse aktualisht i gjithë sistemi i Prokurorisë është duke u përballur me sfida të jashtëzakonshme, të prejardhura si pasojë e mbingarkesës, duke punuar çdo ditë dhe çdo orë (pa llogaritur asnjë ditë pushimi), pasi të gjithë besojmë tek vlerat e një drejtësie të pavarur, në drejtim të mbrojtjes së interesit publik dhe të krijimit të një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë. Edhe pse që në muajin e parë të ushtrimit të detyrës jam përballur me ngjarje të rënda dhe me marrje të një numri të konsiderueshëm të dosjeve për hetim dhe për gjykim, kjo sfidë nuk më ka penguar deri më sot që të ushtroj profesionin tim me integritet. Pavarësisht faktit se për vitin 2024 më shumë se unë, në lidhje me punën time mund të flasin shifrat zyrtare të analizuara edhe në Raportin Vjetor të këtij viti, sa i përket dosjeve të përfunduara dhe personave të marrë, si të pandehur. Është kryer arrestimi i shtetasit Lulzim Rakaj, i marrë në akuzë për veprën penale të parashikuar nga neni 79/dh dhe 22 i Kodit Penal, duke cilësuar faktin se edhe pse ditën që është shqyrtuar seanca gjyqësore për vleftësimit e arrestimit të tij kam pësuar një aksident automobilistik, kjo nuk më pengoi që të vrapoja për në sallën e gjykimit, sërish në mbrojtje të interesit publik. Nuk dua të ndalem në shumë ngjarje që kam hetuar apo aktualisht jam duke hetuar, pasi nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë objektiv i punës sime lancimi i ngjarjeve, por qëllimi është lufta kundër kriminalitetit dhe mbrojtja ndaj interesit publik në çdo moment, sipas betimit të bërë para Kushtetutës dhe që jam betuar që do t’a mbroj solemnisht në çdo moment.
Do të ju lutesha dhe do ju kërkoja që të ndërmerrnin masat përkatëse ato instucione që ligjërisht kanë detyrimin të verifikojnë vendimmarrjen time, duke theksuar se jam e gatshme të përballem me çdo pasojë të mundshme, pasi kam bindjen e plotë që vendimarrja ime mund dhe duhet të vlerësohet vetëm nga organet e përcaktuara nga Kushteta dhe ligji, por jo nga institucione jashtë pushtetit gjyqësor. Lejimi i faktit të kundërt do të cenonte rëndë parime themelore kushtetuese.
Kërkesat:
Në përfundim, në përputhje me kompetencat tuaja, lutem nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që:
-
- Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve;
-
- Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë;
-
- Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura.
Deklaroj se jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional.
- Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura.
SHKRESA E PLOTË E PROKURORES ELSA GJELI
Shkodër, më 09.07.2025
DREJTUAR: Këshillit të Lartë të Prokurorisë
NGA: Elsa Gjeli, Prokurorpranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër
LËNDA: Kërkesë për reagim publik ndaj presionit publik, fyerjes dhe diskreditimit të figurës së Magjistratit dhe mbrojtjes së pavarësisë së Magjistratëve nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë,
Duke iu referuar nenit 149 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e magjistratit në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, paraqes këtë kërkesë zyrtare pranë institucionit tuaj, në mbrojtje të dinjitetit dhe pavarësisë sime profesionale, të cenuar publikisht dhe në mënyrë të përsëritur nga Kryeministri i Republikës, z. Edi Rama.
- RRETHANAT KONKRETE TË ÇËSHTJES
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, mbi bazën e materialit kallëzues të referuar nga Komisariati i Policisë Shkodër me shkresën nr. 3217 prot., datë 23.05.2025 “Dërgojmë materiale procedurale”, ka regjistruar kallëzimin penal nr. 827, datë 28.05.2025 në lidhje me veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal. Ky kallëzim më është caktuar për verifikim nëpërmjet shortit elektronik.
Nga materialet e referuara nga Policia Gjyqësore rezultonte se, në lagjjen Fushë-Theth, në fshatin Theth, Njësia Administrative Shalë, Bashkia Shkodër, nga ana e I.M.T-së ishte konstatuar vendosja e 10 kontenjerëve, në pronën e shtetases Lene Prroni.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, e kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Shkodër është konstatuar se prona e shtetases Lene Prroni, e ndodhur në koordinatën gjeografike 42.389085-19.782113, ishte e rrethuar me mure dhe hekura ngjyrë kafe, si dhe me porta të mbyllura me çelës. Gjatë këqyrjes është konstatuar vendosja e 10 kontenjerëve, të ndërtuar me konstruksion metalik, të veshur me material plastik në ngjyrë kafe, në formë rrigash, me përmasa 3.4×7.1 m. Të gjithë kontenjerët kanë qenë të kompletuar me dyer e dritare, dhe gjendeshin në gjendje të mbyllur. Këto objekte ishin të vendosur në dy grupe, të ndarë me nga pesë kontenjerë, me një kënd prej 30 gradë dhe të vendosur përballë njëri-tjetrit. Këta objekte nuk kishin bazament betoni, por ishin të vendosur në të katër qoshet mbi rrasa guri të prera, sipas referimit të bërë nga Policia Gjyqësore. Gjatë këqyrjes në oborr janë konstatuar pllaka betoni si ato që përdoren për trotuare si dhe llamarina model sanduiç. Në vend nuk është konstatuar prezenca e ndonjë personi.
Shtetasja Lene Prroni, e pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, ka deklaruar se: Kapanonet e gjetura janë të vendosura në pronën e saj, të cilën e ka të trashëguar nga paraardhësit e saj. Deklaron se është interesuar pranë bashkisë për të marrë leje ndërtimi për vendosjen e tyre, por i kanë thënë se nuk japin leje, pasi duhen dokumente pronësie që të përfitosh dhe ajo nuk ka dokumente pronësie, por e ka të trashëguar pronën brez pas brezi. Gjithashtu ka shpjeguar se, në dijeninë e saj, për objektet që janë pa themele, pa betone, nuk ka nevojë për të marrë leje. Tregon se paratë për ndërtimin e këtyre kapanoneve i ka marrë borxh, tek të afërmit e saj, për të ndërtuar këta kapanone, si dhe ka pasur rreth 300 krerë bagëti në Dukagjin, por duke qënë se nuk kishte çoban për t’u kujdesur për to, i ka shitur të gjitha.
Në referimin e bërë nga Komisariati i Policisë Shkodër, citohej se Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit Bashkia Shkodër e konsideronte vendosjen e kontenjerëve kundërvajtje administrative.
Në përfundim të veprimeve verifikuese, në datë 30.05.2025 kam vendosur mosfillimin e procedimit penal për këtë kallëzim, pasi fakti nuk përbënte vepër penale, por duke sqaruar se jemi në kushtet e kundravajtjes administrative.
Në datë 07.07.2025 nëpër media të ndryshme televizive dhe elektronike, si dhe në rrjetet sociale janë transmetuar/publikuar pamje të vendit të ngjarjes objekt i kallëzimit të sipërcituar. Pikërisht në këtë datë ka dalë me prononcimin e parë të tij publik me tone denigruese edhe z. Kryeministër, duke vijuar edhe në ditën pasardhëse. Nga këto pamje kam konstatuar se, vendi i ngjarjes kishte ndryshuar, duke u betonizuar sheshi ku ishin vendosur kontenjerët, lidhur energjia elektrike dhe kontenjerët duket se ishin të përdorshëm/banueshëm.
Në datë 08.07.2025 jam njohur me tabelën fotografike të këqyrjes së vendit të ngjarjes nr. 578/2025, ku konstatohet se vendi nuk ka qenë i betonizuar, por që gjenden edhe disa mure rrethues, të cilët duket sikur janë të ndërtuar prej më shumë se një viti, të papërshkruar saktë në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes. Gjithashtu, është konstatuar nga këqyrja e vendit të ngjarjes se vendi ndodhet pranë kishës katolike, fakt i pareferuar në asnjë moment më parë gjatë dërgimit të referimit nga policia, fakte për të cilat kam dërguar informacion tek Drejtuesi i Prokurorisë për të kërkuar hetimin e mëtejshëm të situatës dhe të çdo personi përgjegjës, fakt për të cilin është regjistruar edhe procedim penal.
- DEKLARATAT PUBLIKE TË KRYEMINISTRIT Z. EDI RAMA
Në datat 6-8 korrik 2025, Kryeministri i vendit, z. Edi Rama, përmes konferencave publike, postimeve në rrjetet sociale (Facebook, Instagram etj.) dhe deklaratave për media, u shpreh në mënyrë të përsëritur dhe agresive në lidhje me këtë çështje, duke përmendur emrin tim personalisht dhe duke më akuzuar se:
- “Kam hedhur në kosh një krim të shumëfishtë”;
- “Jam përfaqësuese e drejtësisë që mbron shkatërrimin e pronës publike”;
- “Kam vepruar në mënyrë arbitrare dhe të dyshimtë”
- “Duhet të mbaj përgjegjësi për vendimin tim” etj.
Këto deklarata janë bërë në kapacitetin e tij si Kryeministër, duke ndikuar në perceptimin publik, duke më ekspozuar ndaj një lincimi të pashembullt mediatik dhe duke minuar çdo kuptim të drejtësisë si një sistem i ndarë nga pushteti ekzekutiv.
- NATYRA PERSEKUTUESE DHE E PAPRECEDENTË E QËNDRIMIT TË KRYEMINISTRIT
Ky qëndrim publik është:
- I paprecedentë në një shtet demokratik, ku pavarësia e magjistratëve është e garantuar me Kushtetutë;
- Personal, pasi godet një Prokuror të ri në detyrë, me eksperiencë të pastër, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm profesionalizmin tim, por edhe aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur dhe logjike;
- Diskriminues, pasi synon të frikësojë përmes turpit publik dhe nënçmimit figurën e një Magjistrateje të re në shërbim të shtetit.
Presioni publik ndaj meje tejkalon çdo kritikë të lejuar politike dhe synon të më vendosë në shënjestër për arsye tërësisht të lidhura me vendimmarrjen time profesionale. Vlerësoj të rëndësishme ndër të tjera të ndalem në disa momente të lidhur jo vetëm me dinamikën e fundit të ngjarjeve të cilat shkojnë përtej normales, por edhe të lidhur me karrierën time profesionale nga momenti i fillimi të detyrës, të cilën jam betuar para Kushtetutës që do t’a mbroj me solemnitet deri në momentin final të uështrimit të saj:
Së pari, ndërhyrjes në pushtete i pretenduar më lart nga ana ime është perceptuar i tillë deri më tani nga një sërë organizmash kombëtare dhe ndërkombëtare, ku ka patur reagime zyrtare nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, reagim i publikkuar edhe në faqen e Prokurorisë së Përgjithshme, nga disa media apo gazetarë profesionistë, shoqata e Avokatëve Antikorrupsion etj., si dhe nga vetë Ambasadori i BE, z. Gonzato, i cili më datë 08.07.2025 në një prononcim publik është shprehur: “Të gjithë duhet të ndalojnë ushtrimin e presionit ndaj drejtësisë së re”, duke u ndalur edhe tek rasti konkret gjatë fjalës së tij.
Së dyti, vlerësoj të theksoj faktin që pavarësisht çdo vështirësie që paraqet profesioni i Prokurorit dhe dinamikës së tij, do të ribëja çdo ditë të njëjtën zgjedhje, edhe pse aktualisht i gjithë sistemi i Prokurorisë është duke u përballuar me sfida të jashtëzakonshme të prejardhura si pasojë e mbingarkesës, duke punuar çdo ditë dhe çdo orë (pa llogaritur asnjë ditë pushimi), pasi të gjithë besojmë tek vlerat e një drejtësie të pavarur në drejtim të mbrojtjes së interesit publik dhe të krijimit të një të ardhmeje më të mirë për vendin tonë. Edhe pse që në muajin e parë të ushtimit të detyrës jam përballur me ngjarje të rënda dhe me marrje të një numri të konsiderueshëm të dosjeve për hetim dhe për gjykim, kjo sfidë nuk më ka penguar deri më sot që të ushtroj profesionin tim me integritet. Pavarësisht faktit se për vitin 2024 më shumë se unë, në lidhje me punën time mund të flasin shifrat zyrtare të analizuara edhe në Raportin Vjetor të këtij viti, sa i përket dosjeve të përfunduara dhe personave të marrë, si të pandehur, vlerësoj të ndalem e në disa ngjarje të hetuara nga ana ime që në momentet e para të ushtrimit të funksionit, të cilat kanë patur edhe impakt në publik:
- Që në muajin e parë të gadishmërisë, pra në muajin Gusht të vitit 2024, kur asnjë prej kolegëve të brezit tim ende nuk ishte paraqitur në zyrat e punës për shkak të pushimeve vjetore, unë përsonalisht jo vetëm që kam marrë menjëherë në dorëzim dosje për hetim, por që në muajin e parë të gadishmërisë jam përballur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Postribë, për të cilën janë nën akuzë sot 6 (gjashtë) persona. Vetëm pak ditë më pas nga kjo ngjarje kam qenë Prokurorja e caktuar me short për ngjarjen e rëndë të vrasjes së viktimës Elis Rroshkodoli, ku pas një sërë veprimesh hetimore mjaft komplekse, është kryer arrestimi i 2 (dy) personave, njëri prej të cilëve shtetasi Voltan Xhani, i cilësuar si eksponent i lartë i dyshuar krimi, dosje e cila pas disa muajsh hetimesh komplekse është dërguar dhe pranuar për kompetencë nga SPAK. Pak ditë nga kjo ngjarje përballem me një tjetër ngjarje me karakter sensitiv dhe sërish të bërë mediatike, ku është kryer arrestimi i shtetasit Lulzim Rakaj, i marrë në akuzë për veprën penale të parashikuar nga neni 79/dh dhe 22 i Kodit Penal, duke cilësuar faktin se edhe pse ditën që është shqyrtuar seanca gjyqësore për vleftësimit e arrestimit të tij kam pësuar një aksident automobilistik, kjo nuk më pengoi që të vrapoja për në sallën e gjykimit, sërish në mbrojtje të interesit publik. Në muajin nëntor të vitit 2024 lançohet sërish në të gjithë mediat një video, ku si pasojë e veprimeve proaktive të autorizuara nga Prokuroria është arrestuar shtetasja Lumturije Pllumbaj, pasi dyshohet se ajo dhe vëllai i saj kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të paërftuar para në mënyrë të paligjshme nga viktima A. F., si pasojë e vendosjes 2 (dy) herë e lëndës eksplozive në shtëpinë dhe në biznesin e tij. Jo më larg se para pak ditësh sërish u publikua një tjetër lajm që Prokuroria dërgon në gjykim 6 (gjashtë) punonjës të IEVP Reç, sikurse edhe sot kur unë gjendem përballë një presioni të jashtëzakonshëm është publikuar një tjetër lajm që arrestohen 2 (dy) shtetas për kultivimi të lëndëve narkotike. Nuk dua të ndalem në shumë ngjarje që kam hetuar apo aktualisht jam duke hetuar, pasi nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë objektiv i punës sime lançimi i ngjarjeve, por qëllimi është lufta kundër kriminalitetit dhe mbrojtja ndaj interesit publik në çdo moment, sipas betimit të bërë para Kushtetutës dhe që jam betuar që do t’a mbroj solemnisht në çdo moment. Nëse një Prokuror, i cili është duke hetuar aktualisht dhe duke konkluduar se do të merren në përgjegjësi penale disa punonjës të IMT Malësi e Madhe për ndërtim të paligjshëm, në të kundërt ka kryer shkelje në drejtim të vendimarrjes së tij të atakuar nga opinioni publik për rastin në fjalë, do të ju lutesha dhe do ju kërkoja që të ndërmerrnin masat përkatëse ato instucione që ligjërisht kanë detyrimin të verifikojnë vendimarrjen time, duke theksuar se jam e gatshme të përballem me çdo pasojë të mundshme, pasi kam bindjen e plotë që vendimarrja ime mund dhe duhet të vlerësohet vetëm nga organet e përcaktuara nga Kushteta dhe ligji, por jo nga institucione jashtë pushtetit gjyqësor. Lejimi i faktit të kundërt do të cenonte parime themelore kushtetuese.
Së treti, edhe pse është një faktor aspak domethënës dua të ndalem në një moment të jetës sime tërësisht privat. Pavarësisht faktit, se unë jam rezistente e shtetit amerikan, pra çfarë do të thotë se edhe pranë tyre mund të adresoja një kërkesë në lidhje me situatën konkrete, duke ditur faktin e njohur botërisht se shteti amerikan e ka mbështetur solemnimisht reformën në drejtësi, kam besuar dhe dua që në lidhje me kërkesat e mia të shprehen vetëm ato organe të përcaktuara nga Kushtetuta dhe ligji jonë i brendshëm, duke patur besim të verbër tek institucionet që përfaqësojnë sistemin e drejtësisë shqiptare.
- KËRKESAT
Në përfundim, në përputhje me kompetencat tuaja, kërkoj nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që:
- Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve;
- Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë;
- Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura.
Deklaroj se jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional.
Me respekt dhe bindje në rolin tuaj si garant të pavarësisë sonë,
Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksioni i Përgjithshëm Shkodër
Elsa Gjeli