Policia e Korçës ka vënë në pranga administratorin e një subjekti privat në Voskopojë, ndërsa ka nisur procedimin penal për zyrtarë të Inspektoratit të Ndërtimit dhe të Policisë, pas zbulimit të ndërtimeve pa leje në aksin rrugor Korçë–Voskopojë.
Sipas njoftimit zyrtar, është arrestuar shtetasi Ibrahim Kruja, administrator i një subjekti privat, i cili dyshohet se kishte kryer ndërtime pa leje duke ndërtuar bazamente betoni me qëllim ngritjen e godinave, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht:
- Idlir Lemillari, 54 vjeç, me detyrë Kryeinspektor në IMT-në e Bashkisë Korçë
- Emil Kafexhiu, 36 vjeç, me detyrë Inspektor në të njëjtin institucion
Të dy dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke mos kryer kontrollet përkatëse dhe duke mos njoftuar organet kompetente në kohën e duhur për ndërtimin e paligjshëm.
Përveç tyre, janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur procedura disiplinore e thelluar:
- Inspektori A. B., me detyrë ndihmës/specialist i rendit (SPZ)
- Nënkomisar E. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë
Njoftimi i policisë
Korçë- Ndërtoi pa leje në zonën e Voskopojës, arrestohet administratori i subjektit. Procedohen penalisht 2 punonjës të IMT-së së Bashkisë Korçë. Pezullohen dhe procedohen disiplinarisht disa efektivë të Policisë së Shtetit.
Në zbatim të detyrave të dhëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për kontroll të imtësishëm të territorit me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, bazuar në informacion të siguruar në rrugë operative, arrestuan në flagrancë shtetasin I. K., 63 vjeç, administrator i një subjekti privat.
Ky shtetas dyshohet se kishte ndërtuar pa leje disa bazamente betoni në aksin rrugor Korçë–Voskopojë, me qëllim ndërtimin e godinave, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht shtetasit I. L., 54 vjeç dhe E. K., 36 vjeç, me detyrë Kryeinspektor dhe Inspektor në IMT-në e Bashkisë Korçë, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer kontrollet përkatëse dhe duke mos njoftuar Policinë në kohën e duhur.
Në vijim të veprimeve, janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për Inspektor A. B., me detyrë ndihmës/specialist i rendit (SPZ) dhe Nënkomisar E. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.
Njëkohësisht ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për Nënkomisar P. B., me detyrë koordinator i ndihmës/specialistëve të rendit në zonë.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit po vijon hetimin e thelluar disiplinor për këtë rast.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për qytetarët që të mos ndërmarrin ndërtime pa leje dhe për administratorët apo pronarët e bizneseve që të mos zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, pasi do të përballen me ligjin.