Motra e 12-vjeçarit Leo Sadiku i cili ndërroi jetë në QSUT në fillim të janarit, kërkon drejtësi për vdekjen e vëllait të saj.
Në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Anastasia Sadiku, thotë se vëllai i saj vdiq nga neglizhenca e mjekëve dhe se për këtë ajo kërkon drejtësi.
“Neglizhencë totale nga mjekët për simptomat që ai kishte. Neglizhencë totale. Ekzaminimet i kemi çuar jashtë. Vëllai im ka pasur infeksion bakterial, jo virozë. Ata e trajtuan vëllain për një virozë. Tirana e mbajti 7 orë aty vëllain tim dhe ne familjarët na thonin që gjendja është e mirë mos u shqetësoni, do kalojë”, u shpreh Anastasia.
Me lot në sy, motra e të miturit vë bë pikëpyetje diagnozën që mjekët gjetën për vëllanë e saj, miokarditin akut.
Ajo thotë se si ka mundësi që mjekët të arrijnë në atë diagnozë, ku ata nuk i bënë vëllai ekzaminimet e duhura.
Anastasia thotë se mjekët nuk i matën as teniodin vëllait dhe se kur familjarët i thoshin atyre që Leo ka gishtat e nxirë dhe këmbët e ftohta, mjekët iu përgjigjën duke u thënë se djali ka ftohtë, pasi në spital nuk ka ngrohëse.
Ajo tha se pasi u kurua fillimisht në Korçë, mjekët e sollën në Tiranë, por edhe këtu nuk është ekzaminuar siç duhet.
Pavarësisht se e ëma i ka thënë doktorëve që djalit kishin nisur t’i nxihen gishtat dhe se këmbët e duart i kishte të ftohta, Leos nuk i janë bërë analizat siç duhet.
“E priti si fillim urgjenca pediatrike [në Tiranë]. Kemi pritur për rreth 20 minuta në hollin e urgjencës pediatrike që të kalonte nga urgjenca pediatrike në pavijonin e endokronologjisë. Aty vëllait tim nuk i është bërë asnjë lloj ekzaminimi përveç një grup analizash gjaku dhe matje diabeti. Kaq. Mami gjithmonë insistonte. Në orën 5:00 ka thënë ka të nxira te gishtat, këmbët i ka të ftohta, duart i ka të ftohta dhe ato thonin i ka të ftohta se i mban jashtë se s’ka ngrohëse spitali”, tha Anastasia.
Më pas Leo ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të datës 8 Janar.
“Nga ora 4:00 deri në orën 12 të natës ka qenë në pavijon dhe nga 12 e natës deri në orën 1:45 në reanimacion”, tha motra e tij.
Anastasia Sadiku u shpreh se prokuroria ka nisur hetimet dhe familja e Leos kërkon drejtësi.
“Unë dua drejtësi për vëllain tim ishte 12 vjeç, kishte gjithë jetën para. Drejtësi, në një mënyrë apo tjetër unë drejtësinë për vëllain tim do e kërkoj”, tha e reja.
“Nuk kanë bërë asgjë. Si mund ti venë diagnozë miokardit akut kur nuk kanë bërë as një EKG, as një matje tensioni, as një lloj gjëje. Si mund të nxjerrin ata atë diagnozë. Edhe nëse e ka pasur miokardin akut, çfarë bënë ata? Ata nuk bënë asgjë, asnjë përpjekje. Nuk bënë asnjë lloj gjëje”, tha Anastasia.