Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani mori pjesë në konferencën kombëtare “Dimensioni i integritetit në funksionin e magjistratit, ku foli për nevojën e pavarësisë dhe llogaridhënies së magjistratëve për një terren transparent të pushtetit gjyqësor.
Gjatë fjalës së tij Metani foli për ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta në pushtetin gjyqësor, të cilat duhet të eliminohen.
Për këtë arsye Inspektori i ILD tha se pavarësia e magjistratëve duhet të shoqërohet me një sistem llogaridhënës efektiv.
Pavarësia formale ligjore e magjistratëve kërkon garanci institucionale, por duhet të shoqërohet me një standard të lartë integriteti dhe profesionalizimi të vetë magjistratëve, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë në fjalën e vet.
“Në praktikën shqiptare ky parim është vënë shpesh në provë. Magjistratët janë ekspozuar jo rrallë herë ndaj ndërhyrjeve të drejtpërdrejta apo të tërthorta, të cilat janë manifestuar nëpërmjet intimidimeve personale, presioneve mediatike, diskurseve të polarizuara politike, përdorimit të retorikës politike për të ndikuar perceptimin dhe vendimmarrjen gjyqësore, konfliktit të interesit, apo vendimmarrjeve të centralizuara administrative, të mbështetura jo gjithmonë në kritere apo procedura të qarta ligjore. Adresimi i kësaj problematike kërkon ndërtimin e një kulture institucionale të mbrojtjes së pavarësisë së magjistratëve, ngritjen e mekanizmave mbikëqyrës dhe llogaridhënës të pavarur, si dhe vendosjen e standardeve të qarta mbi deontologjinë politike, në raport me marrëdhëniet e saj me pushtetin gjyqësor….Rrjedhoja më e rëndësishme e parimit të pavarësisë së magjistratëve është mos përgjegjësia për vendimet që japin, sipas bindjes së tyre mbështetur në ligj. Në gjykimin e një çështjeje, ata marrin vendime mbështetur në ligj dhe sipas bindjes së tyre të brendshme. Por pavarësia funksionale dhe personale nuk nënkupton imunitetin apo mungesën e kontrollit. Prandaj, pasoja e pushtetit dhe besimi që shoqëria i jep magjistratëve është e tillë, që duhet të ketë disa mënyra për t’i mbajtur përgjegjës. Çdo përpjekje për të mbrojtur pavarësinë e pushtetit gjyqësor nuk është legjitime, nëse nuk shoqërohet me reagim mbi formën, thelbin dhe kufijtë e ushtrimit të sistemit llogaridhënës të magjistratëve, pasi pa rregulla të qarta për kontrollin e pushtetit gjyqësor, rrezikojmë t’i shndërrojmë magjistratët në një sovran të heshtur. Pra rritja e kompetencës dhe pavarësisë së magjistratëve duhet të shoqërohet me një sistem llogaridhënës efektiv.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë tha zoti Metani përfaqëson mekanizmin themelor, që lidh pavarësinë e magjistratit me sistemin llogaridhënës dhe përgjegjësinë publike të tyre.
“Sfida më e madhe sot e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është të ruajë pavarësinë e tij institucionale, si dhe të jetë një kontribuues i rëndësishëm në garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, në një mjedis ku ndikimi apo ndërhyrjet e drejtpërdrejta ose të tërthorta ndaj pushtetit gjyqësor nuk janë të panjohura. Për të mos u shndërruar në një mjet presioni ndaj magjistratëve dhe pushtetit gjyqësor, ILD po përpiqet të zbatojë standardet më të larta të procesit të rregullt ligjor, të sigurojë transparencë në procedurat e zhvilluara nga ana e tij, si dhe të dëshmojë integritet në çdo vendimmarrje. Këtë mekanizëm llogaridhënës, ILD po përpiqet të konceptojë dhe të aplikojë në mënyrë institucionale, të drejtë dhe të qëndrueshme, si forma më e lartë e përgjegjshmërisë publike të magjistratëve. Roli i ILD-së nuk duhet parë thjesht në dimensionin ndëshkues disiplinor, por në një prizëm më të gjerë edukues dhe parandalues, në funksion të krijimit të një kulture të lartë etike dhe profesionale në pushtetin gjyqësor. Në këtë mënyrë, ky institucion po angazhohet të shndërrohet në një mbështetës të vërtetë të parimeve të shtetit të së drejtës, duke ruajtur ekuilibrin e ndjeshëm mes llogaridhënies dhe pavarësisë të pushtetit gjyqësor”.
Duke e parë pavarësinë dhe llogaridhënien si një dualitet organik, që ndihmon në konsolidimin e shtetit të së drejtës, zoti Metani vërejti se duhet reflektuar për ndërtimin e një drejtësie që t’i garantojë të dyja, ndërsa dhënia e drejtësisë duhet të jetë një shërbim publik.
“Sot më shumë se kurrë, drejtësia në Shqipëri ka nevojë për magjistratë dhe profesionistë me integritet të lartë moral, të ndërgjegjshëm për rolin e tyre kushtetues dhe të përkushtuar ndaj drejtësisë, si një shërbim publik, duke i ruajtur të pastra interesat e saj. Ka nevojë për magjistratë që besojnë realisht, jo vetëm në vlerat shoqërore, por edhe në misionin e tyre personal për të shërbyer në sistemin e drejtësisë. E lidhur natyrshëm kjo edhe me forcimin e mëtejshëm të përgjegjshmërisë dhe të përgjegjësisë. Të gjithë ne, si pjesëtarë të sistemit të drejtësisë, kemi detyrën që përmes praktikës sonë, sjelljes institucionale dhe kulturës profesionale, të dëshmojmë se pavarësia nuk është privilegj personal i magjistratëve, por një mjet në shërbim të qytetarit dhe se llogaridhënia nuk është kufizim apo cenim i pavarësisë së pushtetit gjyqësor, por një mekanizëm për ta ushtruar këtë pavarësi me përgjegjësi. Në të njëjtën kohë, çmoj se është po kaq i rëndësishëm respektimi i funksionimit të mekanizmit kushtetues të kësaj balance të rëndësishme, si një mjet, ndoshta i vetmi, për rizgjimin e sistemit gjyqësor”.
Fjala e plotë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë z. Artur Metani
Përshëndetje të gjithëve!
Fillimisht më lejoni të përgëzoj organizatorët e kësaj konference, zotin Rakipi dhe Shkollën e Magjistraturës, për sjelljen në debat të një prej çështjeve më themelore të debatit kushtetues dhe të rendit demokratik sot, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë e më gjerë, siç është marrëdhënia dinamike e delikate që ekziston ndërmjet pavarësisë të pushtetit gjyqësor dhe nevojës legjitime për llogaridhënie publike. Një çështje që është kthyer në provën reale të shtetit të së drejtës, si pjesë e sprovave që po kalon ngado drejtësia. Prandaj do doja të shfrytëzoj këtë mundësi për të ndarë me ju disa reflektime të miat, mbi çështjet shumë të rëndësishme dhe themelore që aktualisht sot lidhen me angazhimin e magjistratëve dhe rolin e tyre të qenësishëm në sistemin e drejtësisë.
Pavarësia e pushtetit gjyqësor përbën në vetvete një gur themeli të një shteti demokratik dhe është e pandashme nga vetë kuptimi i funksionimit të shtetit të së drejtës. Por po kaq i rëndësishëm sa ky parim, duhet evidentuar se në shoqëritë tona sot po vërehet, për sa e përshkruan edhe ish-Inspektori i Lartë francez, një paradoks i çuditshëm: “Asnjëherë kërkesa për drejtësi nuk ka qenë kaq e fortë dhe asnjëherë sistemet e drejtësisë nuk kanë qenë në gjendje kaq të brishtë”. Ndoshta dhe për këtë arsye, apo në emër të saj, disa shoqëri po përballen me një “ndikim” agresiv të pushtetit ekzekutiv (apo atij legjislativ) ndaj pushtetit gjyqësor dhe ndërkohë kërkimi dhe aplikimi i mekanizmave të nevojshme për të mbrojtur pavarësinë e sistemit gjyqësor mbetet ende sfidë, edhe në vendet me demokraci të zhvilluar.
Ky realitet e bën edhe më të domosdoshëm konsolidimin e një arkitekture institucionale, që i garanton magjistratëve jo vetëm pavarësinë formale ligjore, por edhe mbështetjen morale dhe shoqërore për të ushtruar funksionin e tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme, të guximshme dhe të drejtë. Ky është një proces i natyrshëm transformimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm. Patjetër, çdo model institucional është i ndryshëm dhe duhet kuptuar nën dritën e stadit të zhvillimit të një vendi të caktuar.
Pavarësia e pushtetit gjyqësor përmban dy dimensione, aspektin institucional dhe atë etiko-personal. Kështu, pavarësia e pushtetit gjyqësor kërkon garanci të qarta në aspektin institucional, por nga ana tjetër kjo pavarësi duhet të shoqërohet me një standard të lartë integriteti dhe profesionalizimi të vetë magjistratëve.
Në praktikën shqiptare ky parim është vënë shpesh në provë. Magjistratët janë ekspozuar jo rrallë herë ndaj ndërhyrjeve të drejtpërdrejta apo të tërthorta, të cilat janë manifestuar nëpërmjet intimidimeve personale, presioneve mediatike, diskurseve të polarizuara politike, përdorimit të retorikës politike për të ndikuar perceptimin dhe vendimmarrjen gjyqësore, konfliktit të interesit, apo vendimmarrjeve të centralizuara administrative, të mbështetura jo gjithmonë në kritere apo procedura të qarta ligjore. Adresimi i kësaj problematike kërkon ndërtimin e një kulture institucionale të mbrojtjes së pavarësisë së magjistratëve, ngritjen e mekanizmave mbikëqyrës dhe llogaridhënës të pavarur, si dhe vendosjen e standardeve të qarta mbi deontologjinë politike, në raport me marrëdhëniet e saj me pushtetin gjyqësor.
Në të njëjtën kohë, mungesa e pavarësisë ka ardhur dhe si pasojë e sjelljeve të njëanshme nga ana e vetë magjistratëve, si pasojë e mungesës së formimit profesional, sjelljeve të kryera me keqdashje të drejtpërdrejtë, apo si pasojë e mungesës së etikës dhe integritetit të tyre. Për këtë qëllim, është e nevojshme që sistemi ynë i së drejtës, të ketë një përgjigje aktive dhe dinamike ndaj sfidave që lindin, si dhe një përshtatje sistematike ndaj nevojave të vazhdueshme për të garantuar këtë pavarësi e përgjegjshmëri. Ky proces duhet të fillojë me një vëmendje të shtuar, që në fazat e hershme të shkollimit të magjistratëve pranë Shkollës së Magjistraturës dhe në vazhdim përgjatë ecurisë profesionale të tyre.
Rrjedhoja më e rëndësishme e parimit të pavarësisë së magjistratëve është mos përgjegjësia për vendimet që japin, sipas bindjes së tyre mbështetur në ligj. Në gjykimin e një çështjeje, ata marrin vendime mbështetur në ligj dhe sipas bindjes së tyre të brendshme. Por pavarësia funksionale dhe personale nuk nënkupton imunitetin apo mungesën e kontrollit. Prandaj, pasoja e pushtetit dhe besimi që shoqëria i jep magjistratëve është i tillë, që duhet të ketë disa mënyra për t’i mbajtur përgjegjës. Çdo përpjekje për të mbrojtur pavarësinë e pushtetit gjyqësor nuk është legjitime, nëse nuk shoqërohet me reagim mbi formën, thelbin dhe kufijtë e ushtrimit të sistemit llogaridhënës të magjistratëve, pasi pa rregulla të qarta për kontrollin e pushtetit gjyqësor, rrezikojmë t`i shndërrojmë magjistratët në një sovran të heshtur. Pra rritja e kompetencës dhe pavarësisë së magjistratëve duhet të shoqërohet me një sistem llogaridhënës efektiv.
Llogaridhënia e pushtetit gjyqësor nuk duhet të shihet si një kufizim ndaj pavarësisë së tij, por si një parakusht për garantimin e legjitimitetit institucional dhe përforcimin e besimit publik tek drejtësia. Ajo nuk duhet konceptuar si kufizim i pavarësisë, por si një mekanizëm që e forcon atë. Respekti për drejtësinë nuk qëndron vetëm në vendimet e saj, por edhe në mënyrën se si merren vendimet gjyqësore. Pra, forma se si vendoset drejtësia është po aq e rëndësishme sa dhe përmbajtja e saj.
Në këtë kuptim, llogaridhënia përfaqëson jo vetëm nivelin më të lartë të përkushtimit ndaj qytetarëve dhe respektimit të misionit themelor të drejtësisë, por përfaqëson edhe aftësinë e pushtetit gjyqësor për të reflektuar mbi veprimtarinë e tij, për të justifikuar sjelljen institucionale, për të përmirësuar cilësinë e drejtësisë dhe për të vepruar në përputhje me standardet më të larta të etikës dhe profesionalizmit.
Në Shqipëri, reforma në drejtësi solli një transformim rrënjësor institucional duke synuar rivendosjen e besimit të publikut në drejtësi përmes ndërtimit të institucioneve të reja dhe forcimit të standardeve profesionale. Ndër këto institucione, një rol kyç luan Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD), i cili përfaqëson mekanizmin themelor, që lidh pavarësinë e magjistratit me sistemin llogaridhënës dhe përgjegjësinë publike të tyre.
Sfida më e madhe sot e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është të ruajë pavarësinë e tij institucionale, si dhe të jetë një kontribuues i rëndësishëm në garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, në një mjedis ku ndikimi apo ndërhyrjet e drejtpërdrejta ose të tërthorta ndaj pushtetit gjyqësor nuk janë të panjohura. Për të mos u shndërruar në një mjet presioni ndaj magjistratëve dhe pushtetit gjyqësor, ILD po përpiqet të zbatojë standardet më të larta të procesit të rregullt ligjor, të sigurojë transparencë në procedurat e zhvilluara nga ana e tij, si dhe të dëshmojë integritet në çdo vendimmarrje.
Këtë mekanizëm llogaridhënës, ILD po përpiqet të konceptojë dhe të aplikojë në mënyrë institucionale, të drejtë dhe të qëndrueshme, si forma më e lartë e përgjegjshmërisë publike të magjistratëve. Roli i ILD-së nuk duhet parë thjesht në dimensionin ndëshkues disiplinor, por në një prizëm më të gjerë edukues dhe parandalues, në funksion të krijimit të një kulture të lartë etike dhe profesionale në pushtetin gjyqësor. Në këtë mënyrë, ky institucion po angazhohet të shndërrohet në një mbështetës të vërtetë të parimeve të shtetit të së drejtës, duke ruajtur ekuilibrin e ndjeshëm mes llogaridhënies dhe pavarësisë të pushtetit gjyqësor.
Kjo nuk është vetëm një retorikë, por një parim i rëndësishëm në të cilin ILD beson vërtetë. Gjithashtu, kjo është dhe një sfidë e vështirë, e cila mund të përballohet vetëm nëpërmjet një qasje të matur dhe të kujdesshme, duke mos iu nënshtruar debateve të nxehta të momentit, por duke mbajtur në konsideratë efektet afatgjata dhe një qëllim të vetëm, ngritjen dhe funksionimin në të ardhmen e një pushteti gjyqësor mbi themele të forta të pavarësisë dhe përgjegjësisë. Kjo jo vetëm që kërkon kohë, por edhe qëndrueshmëri. Realisht besoj se jemi në rrugën e duhur.
Në vijim të këtij reflektimi mbi ekuilibrin ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies së magjistratëve, ndihem i detyruar të theksoj se këto dy parime nuk janë në konflikt me njëri-tjetrin, por në një simbiozë të shëndetshme, që garanton funksionimin e shtetit të së drejtës. Dilema klasike mes pavarësisë dhe llogaridhënies është në thelb një sfidë për të ndërtuar një simetri funksionale ndërmjet tyre, një ekuilibër që nuk është vetëm një kërkesë ligjore, por një parakusht i rëndësishëm për ruajtjen e legjitimitetit të pushtetit gjyqësor.
Gjetja e një ekuilibri të qëndrueshëm ndërmjet këtyre dy vlerave përbën një sfidë të vazhdueshme. Pavarësia absolute, në mungesë të mekanizmave të llogaridhënies efektive, rrezikon të sjellë mungesë të efiçencës, mungesë transparence dhe cenim të parimeve të përgjegjshmërisë institucionale dhe publike të magjistratëve. Në të njëjtën kohë, ngritja e një mekanizmi llogaridhënës ndaj magjistratëve, jo i mbështetur në kritere apo standarde ligjore dhe jo në kuadër të zhvillimit të procedurave sipas një procesi të rregullt ligjor, mund të përbëjë një rrezik serioz për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe ta ekspozojë atë ndaj ndikimeve të papërshtatshme, përfshirë ndërhyrjet e natyrës politike.
Në pamje të parë, kjo marrëdhënie mund të paraqitet si një konflikt i pashmangshëm ndërmjet të drejtës për pavarësi të pushtetit gjyqësor dhe kontrollit institucional ndaj ushtrimit të funksioneve gjyqësore. Por në një rend kushtetues të konsoliduar, pavarësia e gjyqësorit dhe llogaridhënia ndërtohen si dy dimensione plotësuese të së njëjtës arkitekturë institucionale, duke përfaqësuar një dualitet organik dhe të pazëvendësueshëm, i cili ndihmon në konsolidimin e shtetit të së drejtës.
Pra, në këtë kuadër, pyetja që shtrohet nuk është “Pavarësi apo llogaridhënie?”, por “Si të ndërtojmë një drejtësi që garanton të dyja?, pasi marrëdhënia mes tyre është jo vetëm teorike, por edhe praktike dhe ekzistenciale për vetë funksionimin e shtetit të së drejtës. Një rend kushtetues që synon të garantojë barazi para ligjit, mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut dhe funksionim të rregullt të institucioneve demokratike, nuk mund të përfytyrohet pa një pushtet gjyqësor të pavarur dhe njëkohësisht të përgjegjshëm ndaj shoqërisë. Vetëm përmes ekuilibrit të drejtë ndërmjet këtyre dy parimeve themelore mund të ndërtohet një drejtësi, që është njëkohësisht e pavarur në vendimmarrje dhe funksionon në mënyrë efikase dhe me integritet.
Të nderuar kolegë!
Shqipëria ndodhet sot në një moment të rëndësishëm, ku sfida për të konsoliduar institucionet e reja të drejtësisë nuk mund të fitohet pa një ndërgjegjësim të thellë institucional dhe shoqëror mbi rolin e drejtësisë në një shtet të së drejtës.
Shteti i së drejtës nuk përfaqëson vetëm një aspekt rregullash dhe normash juridike, por edhe një rend shoqëror ku mbizotëron ligji, ku ndarja funksionale e pushteteve është jo vetëm një parim teorik, por një mekanizëm real dhe i “gjallë” kontrolli, ku të drejtat themelore të njeriut gëzojnë një status të patjetërsueshëm dhe të mbrojtur përmes mjeteve efektive juridike.
Sfida për ndërtimin e një shteti të së drejtës nuk është vetëm ligjore në kuadër të një procesi legjislativ, por edhe historike, institucionale, kulturore apo shoqërore. Ajo kërkon një përpjekje të përbashkët të të gjitha pushteteve për të kultivuar një sistem ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe ku qytetari ka besim real në funksionin mbrojtës të drejtësisë. Ndërkohë, vlen të theksohet se gjykatat, në këtë paradigmë, nuk janë vetëm interpretuese të ligjit, por garantuese të rendit kushtetues dhe mbrojtëse të parimit të shtetit të së drejtës.
Reforma në drejtësi, e miratuar në vitin 2016, përfaqëson një ndërmarrje madhore strukturore në jetën juridike dhe institucionale të vendit tonë, duke synuar rivendosjen e besimit të publikut në pushtetin gjyqësor. Ajo u konceptua si një ndërhyrje gjithëpërfshirëse për të adresuar problemet sistemike të korrupsionit, mungesës së efikasitetit dhe ndikimit politik në lidhje me funksionimin e sistemit të drejtësisë për një periudhë të gjatë tranzicioni. Por reforma në drejtësi nuk mund të mbetet një iniciativë e ngurtësuar në akte ligjore, apo struktura institucionale formale. Ajo duhet të gjejë mishërim në funksionimin e organeve të pushtetit gjyqësor, si dhe në sjelljen etike të magjistratëve, në pavarësinë e vendimmarrjes së tyre dhe në refuzimin e ndëshkimin e çdo përpjekjeje për instrumentalizimin e saj.
Reforma në drejtësi ka qenë një hap madhor, por jo i mjaftueshëm. Që efektet e saj të jenë të prekshme, duhet të shoqërohet me një reflektim të thellë profesional e përkushtim për ndërtimin e institucioneve që gëzojnë besimin e qytetarëve shqiptarë. Për këtë nuk nevojiten vetëm reforma ligjore, por një transformim i kulturës institucionale, një vetëdije e re mbi drejtësinë dhe një angazhim i përhershëm për ndershmëri dhe profesionalizëm. Pra, reforma nuk mund të jetë vetëm tërësia e ndryshimeve ligjore apo ngritja e institucioneve të reja. Ajo duhet të shoqërohet me një transformim kulturor, që kërkon kohezion institucional, qëndrueshmëri politike dhe maturi të shoqërisë tonë.
Le të jemi të vetëdijshëm se dështimi për të mbrojtur këtë ekuilibër të rëndësishëm ndërmjet pavarësisë dhe llogaridhënies së magjistratëve nuk përbën vetëm një shmangie nga zbatimi i frymës së parimeve dhe standardeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, por një krizë besimi, që cenon thelbin e legjitimitetit kushtetues të organizmit dhe funksionimit të shoqërisë tonë.
Për këtë arsye, thirrja ime sot, është për një angazhim të përbashkët të të gjithëve ne, si profesionistë të së drejtës, si magjistratë, drejtues të institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, akademikë, organizata të shoqërisë civile, për të kultivuar një kulturë profesionale të bazuar mbi dinjitet, vetëpërmbajtje dhe kurajë qytetare, që të kontribuojmë sa më shumë në ruajtjen e këtij ekuilibri në funksion të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, me qëllim shërbimin e saj për qytetarët dhe brezat e ardhshëm.
Sot më shumë se kurrë, drejtësia në Shqipëri ka nevojë për magjistratë dhe profesionistë me integritet të lartë moral, të ndërgjegjshëm për rolin e tyre kushtetues dhe të përkushtuar ndaj drejtësisë, si një shërbim publik, duke i ruajtur të pastra interesat e saj. Ka nevojë për magjistratë që besojnë realisht, jo vetëm në vlerat shoqërore, por edhe në misionin e tyre personal për të shërbyer në sistemin e drejtësisë. E lidhur natyrshëm kjo edhe me forcimin e mëtejshëm të përgjegjshmërisë dhe të përgjegjësisë. Të gjithë ne, si pjesëtarë të sistemit të drejtësisë, kemi detyrën që përmes praktikës sonë, sjelljes institucionale dhe kulturës profesionale, të dëshmojmë se pavarësia nuk është privilegj personal i magjistratëve, por një mjet në shërbim të qytetarit dhe se llogaridhënia nuk është kufizim apo cenim i pavarësisë së pushtetit gjyqësor, por një mekanizëm për ta ushtruar këtë pavarësi me përgjegjësi.
Në të njëjtën kohë, çmoj se është po kaq i rëndësishëm respektimi i funksionimit të mekanizmit kushtetues të kësaj balance të rëndësishme, si një mjet, ndoshta i vetmi, për rizgjimin e sistemit gjyqësor.