Nisma Thurje ka reaguar pas rrethimit të ambienteve të News24 dhe ndërhyrjes në punën e gazetarëve, duke e cilësuar këtë një goditje të rëndë ndaj lirisë së medias dhe demokracisë në vend.
Në deklaratën e saj, Nisma Thurje thekson se liria e medias është një nga shtyllat kryesore të demokracisë dhe garancia që qytetarët të marrin informacion të pavarur, të balancuar dhe të vërtetë.
Sipas saj, çdo vendim arbitrar që ndikon në funksionimin e mediave cënon pluralizmin e mendimit dhe pengon qytetarët të mbajnë institucionet nën vëzhgim.
“Të drejtat e gazetarëve për të punuar pa frikë, pa ndërhyrje dhe pa autocensurë janë të pandashme nga një demokraci funksionale. Kur këto të drejta cenohen, humbet jo vetëm media, por edhe qytetarët që mbështeten tek ajo për të ditur të vërtetën”, thuhet ne reagim.
Deklaratë e Nismës Thurje mbi rrethimin e News24
Liria e medias është një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë dhe një nga garancitë kryesore që qytetarët kanë për të marrë informacion të pavarur, të balancuar dhe të vërtetë. Një shoqëri që kufizon zërat e lirë rrezikon të humbasë aftësinë për të mbajtur qeverisjen nën vëzhgim dhe për të zhvilluar një debat të hapur e të ndershëm.
Çdo vendim arbitrar që ndikon në funksionimin e mediave cënon pluralizmi i mendimit. Ky pluralizëm është themeli mbi të cilin qytetarët mund të formojnë gjykimet e tyre, të marrin vendime të informuara dhe të mbajnë institucionet përgjegjëse.
Nisma Thurje shpreh shqetësimin për çdo formë presioni, direkt apo indirekt, ndaj medias dhe gazetarëve të News24. Presioni mbi median, qoftë në formën e kufizimeve administrative, presioneve ekonomike apo kërcënimeve, është një kërcënim i drejtpërdrejtë për lirinë e shprehjes dhe për të drejtën e publikut për t’u informuar.
Të drejtat e gazetarëve për të punuar pa frikë, pa ndërhyrje dhe pa autocensurë janë të pandashme nga një demokraci funksionale. Kur këto të drejta cenohen, humbet jo vetëm media, por edhe qytetarët që mbështeten tek ajo për të ditur të vërtetën.
Në këtë frymë, ne dënojmë çdo ndërhyrje arbitrare në punën e gazetarëve të rrjetit mediatiak News24, Panorama Group dhe Balkanweb.