Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan–Korçë) ka pezulluar nga detyra një punonjës të policisë me detyrë “Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan”.
Efektivi me iniciale E.Sh., dyshohe se ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik të gjobave “E-GJOBA”. Ai akuzohet se ka kërkuar të dhëna të mjeteve në favor të personave të tretë, duke vepruar në kundërshtim me detyrat funksionale.
Njoftimi i AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka ekzekutuar Urdhërin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësin e policisë Inspektor E.Sh., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.
Ekzekutimi i masës së sigurisë u bë i mundur pasi nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale të hetimit, ka rezultuar se punonjësi i policisë duke vepruar në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik të gjobave “E-GJOBA”, me qëllim kërkimin e të dhënave të mjeteve për llogari të personave të tretë.


