Në një akt të paprecedentë në historinë e medias shqiptare, gazetarët e “News24” dhe “Panorama Group” janë dëbuar me forcë nga godina e tyre nga forcat e policisë dhe ushtrisë në orët e para të mëngjesit të datës 9 gusht, në kundërshtim të hapur me një vendim të formës së prerë të gjykatës, i cili u njeh të drejtën për të ushtruar veprimtarinë në atë ambient.
Pas këtij sulmi institucional dhe dhunës së zbardhur nën uniformë, stafi i “Panorama”, i cili përfshin televizionin “Panorama”, gazetën “Panorama”, gazetën “Panorama Sport”, si edhe variantet “online” të mediave të sipërcituara u drejtohet me një letër të hapur organizatave ndërkombëtare, ambasadave dhe institucioneve që mbrojnë lirinë e medias, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme, mbrojtje dhe mbështetje për rikthimin në godinë. Kjo nuk është vetëm çështje e një redaksie.
Kjo është një betejë për shtetin ligjor, për drejtësinë dhe për të drejtën themelore të të qytetarëve shqiptarë për t’u informuar lirshëm. Në këtë letër të hapur, drejtuar trupit diplomatik, institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare dhe shqiptare, gazetarët e “Panorama Group” kërkojnë mbështetje që të kthehen aty ku u takon me ligj: në shtëpinë e gazetarisë së pavarur. Letra që po publikojmë më poshtë është akt qëndrese, thirrje për ndihmë dhe një aktakuzë publike ndaj atyre që mendojnë se mund të pushojnë zërin e medias me forcë.
LETËR E HAPUR E GAZETARËVE TË “PANORAMA GROUP”
Letër e hapur
Lënda: Mbi ndërhyrjen e paligjshme dhe arbitrare të institucioneve shtetërore për bllokimin e aktivitetit profesional të mediave të “Panorama Group”
Drejtuar:
– Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë,
– Prezencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) në Tiranë,
– Ambasadave të vendeve partnere të akredituara në Tiranë,
– Organizatave dhe shoqatave kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së shprehjes.
Për dijeni:
– Presidentit të Republikës, Bajram Begaj,
– Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali,
– Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Edi Rama,
– Partive politike shqiptare,
– Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
Të nderuar zonja/zotërinj!
Ne, stafi i “Panorama Group”, po ju drejtohemi me shqetësim të thellë për aktin e paprecedentë që ndodhi ndaj nesh më datë 9 gusht 2025, kur forca të Policisë së Shtetit, oficerë civilë dhe forca të Policisë Ushtarake në mënyrë arbitrare na bllokuan, nxorën jashtë dhe uzurpuan ambientet tona të punës, duke pezulluar aktivitetin profesional të “Panorama Group”.
Ky akt arbitrar ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi punën e mediave të “Panorama Group”, i cili përfshin televizionin “Panorama”, gazetën “Panorama”, gazetën “Panorama Sport”, si edhe variantet “online” të mediave të sipërcituara.
Bllokim dhe sulm të njëjtë pësuan në të njëjtën kohë kolegët e televizionit “News 24”, agjencisë së lajmeve “BalkanWeb”, “Gazetës Shqiptare” dhe radios RASH.
Që nga data 9 gusht 2025, materialet tona të punës së përditshme gjenden të sekuestruara në mënyrë antiligjore, në kundërshtim të urdhrit të Gjykatës së Tiranës dhe në shkelje të çdo parimi për të drejtën e informimit publik dhe mbrojtjen e fjalës së lirë.
Sulmi në orët e para të mëngjesit të datës 9 gusht 2025 përfshiu jo vetëm nxjerrjen nga ambientet e punës, por edhe ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike, duke ndërprerë në mënyrë të njëanshme sinjalet e transmetimit të televizionit informativ më të madh në vend “News 24” dhe televizionit “Panorama TV”. Që nga ajo ditë ne nuk lejohemi të rikthehemi në ambientet tona të punës, edhe pse Gjykata e Tiranës me vendimin e datës 12 gusht 2025 na dha të drejtë të kthehemi në godinën e “Panorama Group”.
Për fat të keq, vendimi i gjykatës vazhdon të mos zbatohet dhe emetimi i sinjalit është mundësuar prej nesh në kushte teknike ekstreme dhe profesionalisht të pafavorshme për vijimin normal të punës në funksion të misionit tonë informues.
Situata faktike është si më poshtë:
1. MBETET I PAZBATUAR vendimi i gjykatës për t’u kthyer gazetarëve të gjitha materialet e tyre dhe, mbi të gjitha, për të garantuar detyrimin shtetëror që gazetarët të mos ndalohen në dhënien dhe shpërndarjen e informacioneve.
2. MBETEN TË BLLOKUARA në ambientet e punës ku nuk lejohemi të futemi materialet e punës, dosjet profesionale të karakterit sensitiv, sendet personale dhe çdo material tjetër që përbën pronë private.
Kjo situatë faktike, e shkaktuar nga ndërhyrjet e paligjshme të institucioneve shtetërore ka sjellë pamundësinë e aktivitetit tonë mediatik, duke shkelur vendimin e Gjykatës së Tiranës, e cila ndër të tjera sanksionon se: “Shteti ka detyrimin për të krijuar një kuadër legjislativ dhe administrativ për të garantuar lirinë e ndarjes së informacioneve. Gjykata e konsideron ndërhyrjen dhe kufizimin e gazetarëve dhe të drejtave të tyre jo në proporcion me nevojën për të ndërhyrë”.
Në kushtet e shkeljes së ligjit nga ana e institucioneve shtetërore dhe qëllimit të tyre për të bllokuar aktivitetin tonë profesional, duke pamundësuar gazetarët të thonë të vërtetat dhe duke bllokuar vazhdimin e misionit tonë për dobinë publike, ju ftojmë të merrni parasysh kërkesat tona për të ndërhyrë në zgjidhjen e çështjes në fjalë. Kjo ndërhyrje e juaja vlerësohet nga ne si e domosdoshme për garantimin e vazhdimësisë së punës për të gjithë gazetarët dhe punonjësit e tjerë të mediave tona. Ndaj, përmes kësaj letre të hapur ju ftojmë:
1) Të ofroni mbështetje konkrete dhe ndërhyrje institucionale për të garantuar rikthimin tonë të menjëhershëm dhe të sigurt në godinën tonë, në të njëjtat kushte dhe pa asnjë formë ndërhyrjeje apo presioni.
2) Të konfirmoni qëndrimet tuaja publike të deritanishme, duke dënuar shkeljen e papranueshme të të drejtave të gazetarëve dhe cenimin e lirisë së medias në Shqipëri.
3) Të përforconi monitorimin ndërkombëtar të situatës mediatike në Shqipëri, përfshirë këtë rast specifik, si një precedent i rrezikshëm që kërkon reflektim, por edhe ndëshkim institucional.
4) Të theksoni nevojën e garantimit të sigurisë personale dhe profesionale të gazetarëve të “Panorama Group” dhe të mediave të tjera të cenuara nga aksioni i 9 gushtit 2025, në mënyrë që të mund të ushtrojmë profesionin tonë në kushte normale, pa frikë, presion apo kërcënim fizik.
Duke qenë të bindur mbi drejtësinë e pretendimeve tona për të pasur mundësinë e vijimësisë së aktivitetit mediatik dhe duke pasur besim se qëndrimi juaj publik dhe institucional do t’i shërbente garantimit të lirisë së medias në vend, ju ftojmë të konsideroni thirrjen tonë.
PS. Për çdo paqartësi apo njohuri të detajuar mbi situatën në fjalë nga ana juaj, jemi të gatshëm të ofrojmë në çdo moment të gjithë dokumentacionin e nevojshëm në mbështetje të të drejtave tona të cenuara nga aksioni i datës 9 gusht 2025.