Kryeministri, Edi Rama, ka reaguar lidhur me lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta para kohe të gazetarit të njohur shqiptar, Artur Zheji.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Rama shkruan: “Lamtumirë mik kohësh të tjera dhe e gjetsh matanë paqen për shpirtin”.
Gazetari i njohur shqiptar, Artur Zheji, u nda sot nga jeta në moshën 63-vjeçare.
Zheji pësoi një arrest kardiak teksa ndodhej në një restorant në rrugën “Butrinti” në Sarandë, ku po drekonte me bashkëshorten dhe djalin.
Ai u transportua me urgjencë me autoambulancë drejt spitalit “Petro Nako” në Sarandë, por fatkeqësisht mbërriti atje pa shenja jete.
Artur Zheji ishte një nga figurat më të spikatura të medias dhe opinionit publik në Shqipëri. Me një karrierë të gjatë si gazetar, analist, pedagog dhe ish-drejtor i disa mediave të rëndësishme, ai njihej për stilin kritik dhe analizat e thella politike. Zheji ka kontribuar edhe në fushën akademike dhe në përkthimin e veprave filozofike dhe letrare, duke lënë gjurmë në jetën intelektuale të vendit.
Njoftimi i policisë
Sarandë/Infomacion paraprak
Sot, rreth orës 16:10, në afërsi të rrugës “Butrinti”, shtetasi A. Zh., 63 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në një restorant dhe gjatë transportit drejt spitalit me autoambulancë, ka ndërruar jetë.
Vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit