Pushtuesit ia vunë flakën Borovës tre herë. Shkatërruan, dogjën dhe terrorizuan Shqipërinë. Por edhe në kohë lufte, Birra Korça vazhdoi të punonte. Nuk u mbyll asnjëherë. Sot, në kohë paqeje, një nga kompanitë më historike shqiptare po përballet prej 5 vitesh me kontrolle të pafundme, gjoba absurde, presion administrativ dhe sulme të vazhdueshme nga administrata tatimore.
Një biznes që paguan taksa, paga dhe çdo detyrim përmes bankës, trajtohet si armik dhe jo si kontribues i ekonomisë shqiptare. Çdo ditë kontrolle. Çdo ditë presion. Çdo ditë tentativa për ta gjunjëzuar. As pushtuesit nuk arritën ta ndalin Birra Korçën. Por sot po tentohet të dëmtohet nga ata që duhet ta mbronin prodhimin vendas dhe vendet e punës. Mbi 1 mijë familje jetojnë nga puna e këtij grupi.
Në vend të mbështetjes, biznesi përballet me klimë frike, hakmarrjeje dhe padrejtësie. Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë vetëm ligj, drejtësi dhe trajtim të barabartë. Të bësh biznes në vendin tënd nuk duhet të jetë dënim.
“Hiqi profesionistët, mbaji ushtarët”! Çfarë po ndodh në administratën tatimore nën drejtimin e Ilir Binajt? Transparenca dhe profesionalizmi po zëvendësohen nga presioni
Pas largimit të drejtoreshës së Drejtorisë së Mbledhjes së Borxhit Brunilda, e cila sipas burimeve refuzoi të vazhdonte bllokimin e llogarive të “Birra Korça” pa respektuar procedurat ligjore, në krye të sektorit u vendos një drejtues i ri, Arbëri Ametbejasi, që sipas shumë punonjësve të administratës, nuk po demonstron as aftësinë minimale profesionale për të kuptuar një dosje financiare të përmasave të tilla.
Burimet pranë kompanisë dhe administratës bëjnë të ditur se shoqëria ka një korrespondencë të tërë me email, mandate pagesash dhe dokumente që provojnë pagesat e kryera. Por në vend të një ballafaqimi profesional të shifrave, përgjigjja që kthehet vazhdimisht pretendohet të jetë vetëm një fjali mekanike “Bëni pagesën”. Kur kompania dërgon mandatet dhe kërkon të identifikohet konkretisht se për cilën shumë bëhet fjalë, sipas pretendimeve, nuk jepet asnjë analizë reale financiare. Pikërisht këtu lind edhe dyshimi më i madh nëse kemi të bëjmë me paaftësi profesionale apo me një urdhër të paracaktuar për të goditur Birra Korçën me çdo kusht?
Burime brenda Tatimeve shprehen se drejtuesi i ri Arbëri Ametbejasi nuk arrin të lidhë pagesat me mandatet përkatëse, nuk kupton historikun e korrespondencës financiare dhe shmang çdo ballafaqim teknik me kompaninë. Dhe kjo, sipas specialistëve të fushës, është alarmante për një institucion që administron miliona euro detyrime fiskale. Madje shumë tatimorë veteranë janë shokuar nga mënyra sesi po trajtohet çështja. Ata shtrojnë një pyetje të thjeshtë: Si mund të tentohet bllokimi i një fabrike prodhimi pa një shkresë paraprake zyrtare, pa afat ligjor, pa rakordim pagesash dhe pa një ballafaqim financiar transparent? Në çdo administratë normale, procedura është e qartë: fillimisht njoftohet subjekti, kërkohet pagesa, bëhet rakordimi i detyrimeve dhe vetëm nëse subjekti refuzon apo shmang detyrimet, merren masa shtrënguese. Por këtu, sipas burimeve, duket sikur gjithçka është përmbysur: fillimisht urdhri për bllokim, pastaj tentativat për të justifikuar vendimin.
Kjo sjellje po lë shije shumë të keqe edhe tek profesionistët e administratës tatimore, të cilët prej vitesh kanë punuar mbi bazën e procedurave dhe dokumentacionit ligjor. Sepse ligji nuk funksionon me kokëfortësi, as me urdhra verbalë dhe as me objektiva personale. “Birra Korça” nuk është një kioskë rruge që mund të mbyllet me një telefonatë. Është një fabrikë historike, me qindra punonjës, me investime miliona euro dhe me ndikim të madh në ekonominë e qarkut Korçë.
Çdo bllokim arbitrar nuk dëmton vetëm kompaninë, por dëmton punëtorët, shtetin dhe vetë klimën e biznesit në vend. Dhe pyetja që shumë njerëz po bëjnë sot është se përse u largua drejtoresha që kërkoi të zbatohej ligji dhe përse u soll dikush që duket se ka ardhur vetëm për të zbatuar urdhrin e bllokimit? “Po zgjodhe të mbrosh ligjin në Tatime humbet punën”, ky është mesazhi që sipas shumë punonjësve po përcillet nën drejtimin e Ilir Binajt. Sepse kur largohet profesionisti që kërkon dokumente dhe vendoset njeriu që thotë vetëm “bëni pagesën”, atëherë problemi nuk duket më administrativ, por shumë më i thellë. Sot mund të duket se pushteti administrativ është më i fortë se ligji, por historia ka treguar se çdo vendim arbitrar lë gjurmë. Një ditë do të kërkohet përgjegjësi për çdo urdhër të paligjshëm, për çdo emërim klientelist dhe për çdo vendim që ka dëmtuar biznesin, punëtorët dhe interesin publik. Sepse administrata publike nuk është pronë personale e askujt. Dhe profesionistët nuk mund të zëvendësohen pafundësisht me “ushtarë” që zbatojnë urdhra pa pyetur për ligjin.
Përse u largua drejtoresha e mbledhjes së borxhit tatimor menjëherë pasi zhbllokoi llogaritë e “Birra Korça”? A u shkarkua sepse zgjodhi ligjin përballë urdhrit verbal?
Në administratën tatimore po qarkullon një pyetje që askush nuk ka guxim ta sqarojë publikisht: Përse u largua nga detyra drejtoresha e mbledhjes së borxhit për tatimpaguesit e mëdhenj menjëherë pasi zhbllokoi llogaritë e “Birra Korça”?
Sipas burimeve brenda administratës, konflikti nisi pas urdhrit për bllokimin e llogarive të kompanisë historike “Birra Korça”, një nga bizneset më të rëndësishme prodhuese në juglindje dhe ndër kontribuuesit më të mëdhenj në ekonomi e taksa. Pretendimet janë se kompania nuk kishte detyrime të konsoliduara që justifikonin masa ekstreme bllokuese. Burime pranë tatimeve pretendojnë se drejtoresha Brunilda refuzoi të vazhdonte me veprime që nuk mbështeteshin në procedura të qarta ligjore dhe kërkoi që çdo urdhër të jepej me shkrim. Në mbledhje të brendshme, sipas këtyre burimeve, ajo ka shprehur shqetësimin se nuk mund të mbante përgjegjësi personale për urdhra verbalë që mund ta vendosnin përballë ligjit.
PYETJA QË SHTROHET ËSHTË E THJESHTË: A U SHKARKUA AJO SEPSE ZGJODHI LIGJIN PËRBALLË URDHRIT VERBAL?
Nëse një kompani ka detyrime tatimore, ligji parashikon procedura të qarta, njoftim, afate pagese, marrëveshje, paralajmërime dhe vetëm më pas masa shtrënguese. Por sipas pretendimeve të ngritura, në rastin e “Birra Korça” u tentua të përdorej menjëherë bllokimi i llogarive dhe ndalimi i aktivitetit, duke rrezikuar prodhimin, pagat e punëtorëve dhe zinxhirin ekonomik të një fabrike historike. Një pyetje tjetër që kërkon përgjigje është: Kujt i shërben bllokimi i një kompanie që paguan miliona në taksa dhe mban qindra familje me punë? Në vend që shteti të garantojë stabilitet ekonomik dhe klimë sigurie për investitorët, rasti ngre dyshime për përdorimin e administratës tatimore si instrument presioni. Më shqetësues bëhet fakti se drejtuesja që zhbllokoi llogaritë u largua nga detyra brenda një kohe shumë të shkurtër. A ishte ky një mesazh “Zbato urdhrin ose largohu” për administratën? Ilir Binaj njihej më herët si profesionist pranë biznesit dhe njohës i bilanceve financiare të kompanive. Pikërisht për këtë arsye shumëkush habitet sot nga qasja që po ndiqet ndaj një kompanie me histori, investime dhe ndikim ekonomik si “Birra Korça”. Nëse kompania kishte detyrime, përse nuk u ndoqën procedurat normale të paralajmërimit dhe negocimit?
PËRSE KËRKOHEJ BLLOKIM I MENJËHERSHËM?
Përse u largua drejtuesja që refuzoi të vepronte pa bazë të shkruar? Dhe mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi nëse rezulton se vendimet kanë qenë të paligjshme? Një administratë tatimore nuk duhet të funksionojë mbi urdhra verbalë, interesa personale apo presione të fshehta. Ligji nuk mund të zbatohet sipas humorit të drejtuesve dhe as të përdoret për të trembur biznesin. Sepse kur goditet pa transparencë një fabrikë historike, mesazhi nuk shkon vetëm tek një kompani. Mesazhi shkon tek çdo investitor që mendon të investojë në Shqipëri. Çdo drejtues që sot mendon se mund të përdorë tatimet si armë presioni duhet të kujtojë një fakt të thjeshtë: Pushteti është i përkohshëm, ndërsa përgjegjësia ligjore mbetet. Zoti Binaj me emërimet klienteliste, komandimet arbitrare dhe urdhrat verbalë të paligjshëm mund të heshten përkohësisht nga frika brenda administratës, por jo përgjithmonë. Një ditë do të kërkohet përgjegjësi për çdo vendim që ka dëmtuar biznesin, punonjësit dhe interesin publik.
Korrespondenca mes subjektit “Birra Korça” shpk me Drejtorinë e Mbledhjes se Detyrimeve te Papaguara pranë DTM, me drejtorin Arbëri Ametbejasi.
/Gazeta Panorama


