Gazetarja Klodiana Lala theksoi se hetimet ndaj ish zëvendës kryeministres dhe ish ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku vijojnë me intensitet, ndërsa paralajmëroi se mund të ketë shtim të akuzave ndaj saj.
Në emisionin “Kjo Javë” në Neës24, gazetarja u shpreh se janë kryer një sërë kontrollesh te njerëzit e besuar të Ballukut, ndërsa shtoi se nga këqyrja e celularëve mund të dalin të dhëna të tjera që mund të çojë në kontrolle të tjera të personave të lidhur me të si dhe ashpërsim akuzash ndaj saj.
Gazetarja po ashtu bëri me dije se edhe dëshmia e ish futbollistit Igli Tare, të cilit i është dërguar fletëthirrja nga SPAK, konsiderohet kyçe.
“Ka intensitet, një çështje më e rëndësishme për momentin në SPAK, se ka të bëjë së pari me pozicionet që ka mbajtur zonja Balluku, si ish zv kryeministre dhe ish ministre, por edhe si drejtuese politike në Fier. Ka patur kontrolle te njerëzit e besuar, marrje në pyetje të zyrtarëve apo ish zyrtarëve të lartë, biznesmenë. Janë duke u këqyrur celularët.
Janë bërë dy fletëthirrje ndaj Igli Tares. Është duke u hetuar lidhja që ka të bëjë me interesat financiare dhe pasurore. Janë dy fletëthirrje, e para është kthyer për faktin se nuk është gjetur adresa, ndërsa për të dytën nuk ka përgjigje. Dëshmia e tij konsiderohet thelbësore për hetimin.
Çështja mbahet tepër sekret, se ka të bëjë me hetimin për pasurinë e zonjës Balluku, banesat ku ka qëndruar, që dyshohet se ka zotëruar në mënyrë të tërthortë. Pastaj këqyrja e celularëve mund të sjellë të dhëna të tjera, mund të pasohet nga kontrolle të tjera, dhe besoj edhe me ashpërsim të akuzave.”, tha Lala.


