Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha së fundmi se “duhet t’i mbajmë duart larg vendimmarrjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bardhi e cilëson këtë deklaratë si “hipokrizi të pastër”, ndërsa thekson se vetë Rama është ai që sulmon vazhdimisht magjistratët që tregojnë integritet dhe kurajo qytetare në ushtrimin e detyrës.
“Të pranishmit mbetën jo pak të habitur nga kjo hipokrizi e kryeministrit, teksa muajin e fundit ka sulmuar pandalur prokurorë e gjyqtarë që i vënë fre abuzimit dhe arbitraritetit të paligjshmërisë së Edi Ramës dhe vartësve të tij”, shkruan Bardhi.
Demokrati shkrun më tej: “Autokrati i Tiranës nuk arrin dot ta kuptojë se si mund të ketë akoma njerëz të ndershëm dhe me integritet në këtë vend që ia përplasin në fytyrë paçavuret e tij të paligjshme dhe korruptive, siç ishte rasti i uzurpimit të një prone private për gjoja qëllimin e shpallur të transferimit të stafit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, kur në fakt qëllimi i vërtetë ishte prishja e godinës së Kadastrës pranë liqenit për t’i hapur rrugë një kulle shumëkatëshe për oligarkët e tij”.
Postimi i plotë
Edi Rama paska deklaruar para stafit të Ministrisë së Drejtësisë se “duhet t’i mbajmë duart larg vendimmarrjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Të pranishmit mbetën jo pak të habitur nga kjo hipokrizi e kryeministrit teksa muajin e fundit ka sulmuar pandalur prokurorë rrethesh dhe gjyqtarë të Gjykatës Administrative që me integritet profesional dhe kurajo qytetare i vënë fre abuzimit dhe arbitraritetit të paligjshmërisë së Edi Ramës dhe vartësve të tij.
I fundit në rradhën e sulmeve të përroit psikik të Edi Ramës ishte magjistrati i ri Marko Boshku, për të cilin në sistem ka vetëm fjalë të mira për punën dhe profesionalizmin e tij. Por, për Edi Ramën, njeriun që i ka vënë vetes objektiv të ketë nën kontroll të plotë të gjitha pushtetet, gjyqtarë dhe prokurorë të mirë janë vetëm ata që i binden urdhërave dhe kërcënimeve të tij me telefon apo ata që përndjekin politikisht liderët e opozitës.
Autokrati i Tiranës nuk arrin dot ta kuptojë se si mund të ketë akoma njerëz të ndershëm dhe me integritet në këtë vend që ia përplasin në fytyrë paçavuret e tij të paligjshme dhe korruptive, siç ishte rasti i uzurpimit të një prone private për gjoja qëllimin e shpallur të transferimit të stafit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, kur në fakt qëllimi i vërtetë ishte prishja e godinës së Kadastrës pranë liqenit për t’i hapur rrugë një kulle shumëkatëshe për oligarkët e tij.
Ndërkohë që reagimi i gjyqtarëve të Tiranës, Durrësit, Kukësit dhe Shoqatës së Gjyqtarëve kundër sulmeve të kryeministrit ndaj gjyqtarit Boshku meriton respekt si provë e qartë e refuzimit për t’u nënshtruar para sulmeve të tilla, heshtja e qeverisë së gjyqësorit, Këshillit të Lartë Gjyqësor duhet të bëjë me turp secilin prej 11 anëtarëve të asaj trupe, 6 prej të cilëve gjyqtarë dhe kolegë të Marko Boshkut.
Për fat të keq, KLGJ-ja dëshmon edhe njëherë se nuk është në lartësinë e detyrës së saj kushtetuese për të garantuar pavarësinë e sistemit gjyqësor. Nëse kanë filluar që tani të mendojnë për vendin e tyre të punës pas përfundimit të detyrës do të thotë që nuk ka qenë asnjëherë të denjë për atë detyrë të nderuar që iu është besuar.
Historia e shkurtër e vetë atij institucioni ka dëshmuar se ata që vendosin të nënshtrohen e konformohen para pushtetit, enden rrugëve duke u lutur pas dyerve të institucioneve për një vend pune.