Komisioni Hetimor për “Sterilizimin dhe Check-up” nuk ka mundur të vijojë pa praninë e ironive, këtë herë nga ish-anëtari i komisionit të dhënies së koncesionit, Genc Burazeri, i cili është njëkohësisht dhe kushëriri i parë i ish-ministrit Ilir Beqaj, ky i fundit tashmë në burg.
Burazeri ndodhet nën hetim për koncesionin e sterilizimit. Ai u pyet nëse ka qenë në konflikt interesi me ish-ministrin e shëndetësisë, Ilir Beqaj, për shkak të lidhjeve famijare, por sipas Burazerit, pas konsultimit me kabinetin, ai u bind se nuk ndodhej mes ndonjë konflikti.
Ironia tashmë vjen nga Burazeri lidhur me Beqajn, pasi në Komisionin Hetimor u shpreh se në shëndetësi njihej ai, ndërsa kushëriri i tij (Ilir Beqaj), nuk e kishte njohur njeri deri më vitin 2013.
Ai shtoi më pas “ministrat në këtë vend i paçim sa malet, janë ardhacakë dhe ikatarë, është mirë që jemi ne, ata vijnë dhe ikin”.
Pyetje: Nuk mendoni se kishit konflikt interesi me Ilir Beqajn, jeni kushëriri i parë, nuk mendoni se do ta dëmtonte kjo punën e komisionit?
Burazeri: Kam kërkuar interpretim siç kam kërkuar edhe për procedura të tjera. Unë kam pasur ftesa paraprake. Jam konsultuar me kabinetin, i cili më ka bërë të qartë që nuk ka konflikt interesi dhe më ka bindur pasi bazuar në ligjin përkatës, nuk e gjej veten as në konflikt faktit, as të mundshëm dhe as në dukje të interesit.
Në Shëndetësi mua më njihnin, Ilir Beqajn nuk e ka njohur njeri deri në 2013, ministrat në këtë vend i paçim sa malet, janë ardhacakë dhe ikatarë, është mirë që jemi ne, ata vijnë dhe ikin