Edhe qarku i Elbasanit është përfshirë nga moti i keq gjatë orëve të fundit.
Raportohet për shira të rrëmbyeshëm dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona malore.
Prefektura e Elbasanit ka publikuar edhe informacionin zyrtar të orës 10:30, mbi gjendjen e motit dhe situatën në terren pas reshjeve të ditëve të fundit. Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile, në qarkun Elbasan nuk ka reshje shiu që prej orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa aktualisht moti paraqitet me vranësira, por pa probleme të evidentuara.
“Të gjitha 7 bashkitë e qarkut; Elbasan, Librazhd, Gramsh, Peqin, Belsh, Cërrik dhe Prrenjas raportojnë situatë të qetë dhe pa ngjarje që lidhen me emergjencat hidrike apo infrastrukturore. Nga komunikimi i vazhdueshëm me sallën operative, nuk janë konstatuar probleme në komunitet, duke e vlerësuar situatën si të stabilizuar”, thuhet në njoftim.
Por problematikat lidhen më shumë me ndërprerjen e energjisë elektrike, teksa grupet e OSHEE po punojnë për riparimet e disa defekteve të shkaktuara kryesisht në zonat malore.
Punime të dedikuara po zhvillohen në: Orenjë, Lunik, Polis dhe Xhyrë, Bashkia Librazhd, Skënderbegas, Bashkia Gramsh, Stravaj, Bashkia Prrenjas.
“Lidhur me qarkullimin rrugor, të gjitha akset nacionale dhe rurale janë të hapura dhe të kalueshme. Deri në momentin e raportimit, nuk janë shënuar bllokime, rrëshqitje apo prani rreziku në rrugë. Strukturat e Emergjencave Civile të Prefekturës së Elbasanit konfirmojnë se vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës meteorologjike, furnizimit me energji dhe gjendjes së infrastrukturës, duke qenë në gatishmëri për çdo zhvillim të mundshëm”, sqaron Prefektura.


