Rreth 10 mijë banorë të Shushicës, në Elbasan, vijojnë të jenë pa energji elektrike që prej mbrëmjes së kaluar, si pasojë e motit të keq. Ndërprerja e zgjatur e furnizimit ka lënë fshatrat e zonës në errësirë totale, duke shkaktuar vështirësi serioze në jetën e përditshme dhe në aktivitetin ekonomik.
Mungesa e energjisë ka prekur jo vetëm familjet, por edhe bizneset lokale, të cilat raportojnë probleme në funksionimin normal, furnizimin me energji dhe ruajtjen e produkteve, veçanërisht ato ushqimore, raporton gazetari Fatmir Popja.
Sipas informacioneve paraprake, shkak i ndërprerjes është bërë moti i përkeqësuar, ndërsa grupet e OSHEE-së ndodhen në terren për identifikimin e defekteve dhe rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike.
Ky nuk është rasti i parë i ndërprerjeve të gjata të energjisë në zonë, çka ka shtuar shqetësimin dhe pakënaqësinë e banorëve. Ata shprehen se po përballen me vështirësi të mëdha, sidomos familjet me fëmijë të vegjël, të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse për një zgjidhje të menjëhershme, si dhe për marrjen e masave afatgjata, pasi situata e përsëritur po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe sigurinë e komunitetit.


