Moti i keq, i shoqëruar me reshje intensive shiu dhe erëra të forta, ka shkaktuar probleme në disa zona të Rajonit të Elbasanit dy ditët e fundit, duke ndikuar kryesisht në furnizimin me energji elektrike.
Sipas informacionit zyrtar, një sërë fidrash dhe kabinash elektrike janë prekur nga dëmtimet, duke lënë pa energji qindra abonentë në zona të ndryshme të qarkut.
Defektet janë të shumta, deri edhe shtylla të rrëzuara, tela të këputur dhe infrastrukturë e dëmtuar.
Situata e detajuar sipas nënstacioneve:
-Fidri 4, N/St Librazhd – Kabina Sopot
Kjo linjë ka pësuar dëmtime si pasojë e erërave të forta, duke krijuar ndërprerje për 20 abonentë në zonën e Sopotit.
-Fidri 3, N/St Prrenjas – Kabina Godovush
Problemet e shkaktuara nga reshjet dhe terreni i vështirë kanë sjellë ndërprerje për 24 abonentë në kabinën Godovush.
-Fidri 6, N/St Librazhd – Zona Sterblevë, Studen, Borovë, Llenge, Zabzun
Linja është pjesërisht në punë, por vijojnë të mbeten të papajisur me energji 247 abonentë, ndërsa grupet e avarisë po punojnë në terren për rikthimin e plotë të furnizimit.
-Fidri 3, N/St Gramsh – Zona Sotir, Kërrpicë, Dardhë, Ermenjë, Siman
Edhe kjo linjë funksionon pjesërisht, duke lënë pa energji 290 abonentë në disa prej fshatrave më të thellë të Gramshit.
-Fidri 8/2, N/St Banjë – Kabina Pompa Pazhok
Moti i keq ka shkaktuar dëme serioze në këtë kabinë, ku transformatori është djegur, duke ndërprerë furnizimin për 17 abonentë. Ekipet teknike kanë nisur punën për zëvendësimin e tij.
Nga 119,000 abonentë që furnizohen nga Rajoni i Elbasanit, aktualisht ende 598 abonentë rezultojnë pa energji elektrike për shkak të avarive të shkaktuara nga kushtet e këqija atmosferike.
Ekipet e terrenit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike vijojnë punën në zonat problematike për normalizimin sa më të shpejtë të situatës, pavarësisht kushteve të vështira të motit. Normalizimi i plotë pritet të arrihet menjëherë pas riparimit të dëmtimeve kryesore në rrjet.


